Donald Trump ka përsëritur pretendimet raciste për emigrantët nga Haiti në Springfield, Ohio, duke dyfishuar retorikën kundër emigrantëve pasi banorët janë përballur me kërcënime me bombë dhe kanë detajuar frikën e tyre mes ngacmimeve.
“Në Springfield, Ohio, 20,000 emigrantë ilegalë Haitianë kanë zbritur në një qytet me 58,000 banorë, duke shkatërruar mënyrën e tyre të jetesës. Ata e kanë shkatërruar vendin”, tha Trump gjatë një konference për shtyp në fushën e tij të golfit në Los Angeles.
“Njerëzve nuk u pëlqen të flasin për këtë. Edhe qytetit nuk i pëlqen të flasë për këtë, sepse tingëllon shumë keq për qytetin. Ata jetojnë atje. Për vite ishte një vend i mrekullueshëm. I sigurt. E bukur. Tani ata janë 20,000 dhe kam dëgjuar në fakt sot se janë 32,000”, shtoi ai.
“Ne do të bëjmë deportime të mëdha nga Springfield, Ohio, deportime të mëdha”, vazhdoi ai më vonë.
“Ne do t’i largojmë këta njerëz. Ne po i kthejmë ata në Venezuelë”, duke deklaruar vendin e pasaktë nga janë shumica e emigrantëve, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se Haiti është një nga 16 vendet që qeveria amerikane i ka dhënë statusin e përkohshëm mbrojtës (TPS) për shkak të konfliktit të vazhdueshëm, duke e bërë më të lehtë për emigrantët marrjen e autorizimit për të punuar në SHBA.
Si president, Trump u përpoq t’i jepte fund TPS-së për Haitin dhe iu referua kombit si një “gropë e keqe”.
Ndryshe, komentet e ish-presidentit vijnë pas debatit presidencial të së martës, në të cilin ai përsëriti për herë të parë pretendimin e rremë se emigrantët në Springfield po vjedhin dhe hanë qentë dhe macet e njerëzve.
Pretendimi është hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur.
Ndërkohë, Springfield ka marrë disa kërcënime me bombë këtë javë, duke e shtyrë atë të mbyllë ndërtesat qeveritare dhe të evakuojë shkollat e saj./Telegrafi