Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog deklaroi sot se shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori domethënëse.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama pas takimit, presidenti Herzog tha se “për mua është shumë domethënëse të jem mes miqsh në këtë kohë kaq të dhimbshme për Izraelin. Po i afrohemi një viti qysh kur Hamasi sulmoi në mënyrë brutale Izraelin, një vit kur mijëra terroristë ndërhynë në vendin tonë, vranë egërsisht mijëra dhe rrëmbyen qindra izraelitë dhe shtetas të huaj në Gaza. Qysh prej asaj ditë errët në tetor Shqipëria është vendosur në mënyrë të palëkundur, është radhitur në anën e duhur të historisë”.
“Vendi juaj ka treguar edhe njëherë që qëndron krah popullit izraelit dhe ndërkohë që ne luftojmë të mbrojmë popullin, kufirin tonë dhe civilizimin tonë dhe që luftojmë veçanërisht për ëndrrën për të sjellë paqe mes nesh dhe Palestinës, që të gjithë në rajonin tonë të jetojmë në paqe”, theksoi Herzog.
Presidenti izraelit u shpreh se “pengjet ende mbahen në Gaza në shkelje të madhe të normave humanitare dhe ndërkombëtare. Do të bëjmë çmos për t’i sjellë pengjet në shtëpi”.
“Hija e gjakut që lidh të gjithë agjentët e urrejtjes është Irani dhe fiksimi i tij anti-semit në shkatërrimin e shtetit të Izraelit dhe këtu në Shqipëri e dini mjaft mirë këtë regjim. Por marrëdhëniet tona nuk fillojnë e mbarojnë aty. Shqiptarët dhe hebrenjtë ndajnë një histori të madhe, hebrenjtë e mbarë Europës gjetën vend gjatë Holokaustit në Shqipëri. Jam shumë i kënaqur që jemi këtu dhe me një rritje të konsiderueshme të lidhjes sonë në shumë forma të jetës sidomos në fushën ekonomike. Në delegacion me mua ka anëtarë mjaft të rëndësishëm biznesi në këtë udhëtim dhe kjo tregon shumë për afërsinë tonë. Ne sot diskutuam shumë gjëra edhe me presidentin tuaj dhe me ju Edi që jeni miku im i dashur. Populli izraelit nuk do ta harrojë kurrë si ju dhe populli shqiptar qëndruar krah nesh në kohë të vështira. Më lejoni që ta mbyll fjalën time në shqip: ‘Faleminderit për mbështetjen ndër vite”.- tha Herzog.