OKB thotë se sulmet izraelite vranë gjashtë vetë nga stafi i saj në Gaza

1 minute, 41 seconds Read

Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë ka thënë se gjashtë nga punonjësit e saj janë vrarë në një sulm izraelit në një nga shkollat në Gazën qendrore.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të Gazës, Mahmud Bassal, ka thënë se 18 njerëz janë vrarë në sulm në shkollën al-Jaouni në kampin e refugjatëve Nuseirat, i cili është përdorur si strehë nga mijëra palestinezë të zhvendosur.

Ushtria izraelite ka thënë se ka zhvilluar një “sulm preciz mbi terroristët” që planifikonin sulme nga shkolla dhe se janë marrë masa për të shmangur dëmtimet e civilëve.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres tha se sulmi përbën “shkelje dramatike të ligjit ndërkombëtar humanitar” në një postim në X.

Unrwa tha se nga ky sulm u shënua “numri më i lartë të vdekjeve në mesin e stafit tonë në një incident të vetëm” që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit në tetor. Organizata tha se ishte hera e pestë që goditet shkolla gjatë 11 muajve të fundit, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Në korrik, 16 persona thuhet se u vranë në një sulm për të cilin ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar disa struktura në shkollën e përdorur nga luftëtarët e Hamasit.

Hamasi – i cili është i ndaluar si një grup terrorist nga Izraeli, Britania e Madhe dhe vende të tjera – ka mohuar përdorimin e shkollave dhe vendeve të tjera civile për qëllime ushtarake.

Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, kundështoi kritikat e Guterres për sulmin dhe tha se ishte “e pandërgjegjshme që OKB-ja vazhdon të dënojë Izraelin në luftën e tij të drejtë kundër terroristëve”.

Zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric u tha gazetarëve se OKB-ja dënoi “të gjitha sulmet ajrore që synojnë civilët dhe ato që synojnë gjithashtu objektet e OKB-së”.

Publikime te ngjashme