Vuçiç paralajmëron masa serioze pas takimit me Lajçak: “Kurti do shkatërrimin e serbëve dhe…”

1 minute, 47 seconds Read

“Tani është plotësisht e qartë se Kryeministri Albin Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb”. Janë fjalët e presidentit Aleksandar Vuçiç, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Miroslav Lajçak, shkruan A2 CNN.

Vuçiç paralajmëroi se gjatë 72 orëve të ardhshme do t’i parashtrojë bashkësisë ndërkombëtare kërkesat e Beogradit lidhur me ato që i quan sulme brutale ndaj popullsisë serbe në veri. Ai tha se gjatë tetorit do të dilte me propozime të gjera para kuvendit kombëtar.

“Duhet të luftojmë për pozitën e Serbisë në botë, të kërkojmë aleatë. Tani është plotësisht e qartë për ne po edhe për të tjerët që Kurti dëshiron shkatërrimin dhe persekutimin e popullit serb. Me masa serioze dhe çështje të tjera do t’ju ​​drejtohemi brenda 72 orëve”, tha Vuçiç, shkruan A2 CNN.

Ai theksoi se Serbia është gjithmonë pro dialogut dhe se është i gatshëm që sot të shkojë në Bruksel për të biseduar me Kurtin. “Por Serbia nuk është e gatshme dhe siç e kam thënë pafundësisht, të lejojë persekutimin e popullatës së saj dhe është fare e qartë se ky është qëllimi i vetëm i qeverisë Kurti”, tha ai.

Mbylljen e institucioneve paralele serbe në Veri, presidenti serb e cilësoi “veprim ilegal dhe kriminal” të Albin Kurtit, ndërsa kritikoi komunitetin ndërkombëtar që siç tha, e ka dënuar Prishtinën vetëm me fjalë.

Deklaratat e Vuçiç erdhën pas takimit me Miroslav Lajçak, me të cilin, siç bëhet e ditur, foli për dialogun dhe problematika të tjera në rajon. Në njoftimin për vizitën e Lajçakut në Beograd, kryeministri Millosh Vuçeviç theksoi se shumë shpejt pritet një takim në Bruksel dhe se atëherë do të dëgjohen gjëra më konkrete për veprimet e Prishtinës. Në po të njëjtën ditë, Vuçiç u takua edhe me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Christofer Hill.

 

Publikime te ngjashme