Kosova ka fituar me rezultat të thellë 4-0 në udhëtim ndaj Qipros, për të marrë kështu fitoren e parë në edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Me dy gola të Vedat Muriqit dhe nga një të shënuar prej Albion Rrahmanit dhe Lumbardh Dellovës, Franco Foda mori fitoren e parë në ndeshje zyrtare me ‘Dardanët’.
Pas kësaj fitore të thellë, reagoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes rrjeteve sociale përgëzoi lojtarët për fitoren.
“4-0 kundër Qipros. Nga një gol për secilin gol të pranuar kundër Rumanisë dhe një më shumë për ata që besuan. Lojtarët tanë shkëlqyen sonte!”, ka shkruar Kurti në Facebook.
‘Dardanët’ do të rikthehen në aksion sërish gjatë muajit tetor ku do të zhvillojë dy ndeshje ndaj Lituanisë në udhëtim dhe ndaj Qipros në ‘Fadil Vokrri’./Telegrafi