Kryediplomati turk s’jep detaje për marrëveshjen e sigurisë, por me fjalë të mëdha për Kosovën: “S’ka gjë më normale sesa të mbështesim Kosovën..”

1 minute, 50 seconds Read

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, nuk ka dhënë detaje mbi marrëveshjen e sigurisë që pritet të nënshkruhet mes Kosovës dhe Turqisë.

Megjithatë, ai theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si pjesë e një bashkëpunimi të thelluar.

“Siç e shpreha, e mbështesim Kosovën dhe e kemi një vetëdije të qëndrueshme lidhur me këtë dhe që nga dita e parë kemi pas një ndjeshmëri të madhe që të përforcohen institucionet kosovare në mënyrë që të t’iu ofrohen të gjithë qytetarëve shërbimet e duhura. Në këtë kontekst është edhe siguria. Ne si Turqi duhet të jemi të gatshëm të ndihmojmë për të gjitha aspektet e sigurisë. Për ne s’ka gjë më normale sesa ta mbështesim Kosovën, kjo do të vazhdojë edhe në shumë fusha tjera. Këto janë të gjitha që mund të them”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, ai e ka përshkruar marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes Turqisë dhe Kosovës, duke e quajtur atë një komponent të rëndësishëm të strategjisë gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet dypalëshe.

“Kosovarët nuk janë vetëm miqtë tanë, por janë edhe vëllezërit dhe motrat tona. Lidhjet e palëkundura mes nesh t’i pasurojmë në marrëdhëniet tona dypalëshe në mënyrë më të mirë të mundshme. Qëllimi ynë është që të sjellim një vizion strategjik gjithëpërfshirës në marrëdhëniet tona. Sigurinë, politikën, ekonominë i konsiderojmë tri shtyllat kryesore të bashkëpunimit tonë. Dialogu politik tashmë është në një nivel të shkëlqyer. Duke përfituar nga kjo, duke adresuar çështjet tona të sigurisë me një qasje afatgjate, ne tani kemi dëshirë që dialogun ta vendosim në një kuadër institucional. Nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë mes Turqisë dhe Kosovës do të jetë i pari i këtij bashkëpunimi. Së këndejmi do të forcojmë edhe më tutje bashkëpunimin tonë ekonomik”, ka thënë Fidan./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme