Nën dyshimin se në cilësinë e policit në Stacionin Policor në Prizren gjatë viteve 1998-1999 ka kryer vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor ndaj popullatës civile shqiptare në Suharekë, ndaj një qytetari të nacionalitetit goran është ngritur aktakuzë për veprën penale krime lufte.
Në njoftim thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Sh.L. i nacionalitet goran, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje me persona të tjerë, e ka kryer veprën penale Krimi i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP-RSFJ”) si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.
“I pandehuri në cilësinë e policit të Stacionit Policor në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzore ndaj popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në Komunën Suharekës dhe Rahovecit. Hetimet kanë vërtetuar se, forcat policore serbe fillimisht i kanë arrestuar viktimat në regjionin e Suharekës dhe të Rahovecit dhe më pastaj i kanë dërguar në Stacionin Policor në Prizren. Aty i pandehuri i ka marr në pyetje duke përdorur torturë dhe trajtim çnjerëzore. Si rezultate i torturave i ndjeri R. J. ka vdekur kurse dhjetë (10) civile të tjerë kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe pasoja psikike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Sipas Prokurorisë, kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.
“I pandehuri gjendet nën masën e paraburgimit sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi