Vuçiq pas takimit me Macron: Arritëm marrëveshje, po blejmë 12 Rafale me vlerë 2.7 miliardë euro

2 minutes, 4 seconds Read

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe ka shpjeguar detajet e takimit dhe kontratat që janë nënshkruar.

Vuçiq në fillim të konferencës për media tha se biseda ka qenë e gjatë.

“Kemi pasur bisedime të gjata dhe do t’i vazhdojmë deri në orët e vona të natës. Për të gjitha çështjet e rëndësishme strategjike, si për bashkëpunimin dypalësh ashtu edhe për rrugën tonë drejt BE-së dhe marrëdhëniet strategjike në botë dhe Evropë. E falënderova për mbështetjen që Franca i jep Serbisë në rrugën evropiane, por i jam mirënjohës investimeve në rritje dhe bashkëpunimit në rritje që kemi në sfera të ndryshme të jetës”, tha Vuçiq, transmeton Ballkani.info.

Një nga çështjet e diskutuara ishte energjia bërthamore.

“Serbia nuk do të ketë energji të mjaftueshme për 10 vjet nëse nuk përdor energjinë bërthamore. Shumë vende të BE-së po përfshihen dhe po mësojnë nga shembulli francez. Ata kanë 70 për qind të energjisë së tyre përmes reaktorëve bërthamorë. Këtu bëhet fjalë për energjinë e pastër”, theksoi presidenti i Serbisë.

Më pas ai iu referua pjesës më të rëndësishme të takimit.

“Lajmi i madh është blerja e avionëve Rafale. Do ta shihni, do të jemi plotësisht të hapur. Kontrata është nënshkruar me një paketë logjistike. Nga motorët rezervë e deri te gjithçka tjetër. Vlera totale është 2.7 miliardë euro. Dymbëdhjetë avionë krejt të rinj do të jetë në pronësi të Serbisë dhe do të kontribuojë në një rritje të konsiderueshme të aftësive operacionale të ushtrisë sonë”, tha Vuçiq.

Në fund, Vuçiq tha se kanë biseduar edhe për situatën në Evropë dhe rajon.

“Nuk më vjen turp, ndryshe nga mazhoranca, të flas hapur dhe sinqerisht me Macronin. Ai është një nga njerëzit që mund të dëgjojë një mendim ndryshe dhe mendoj se është e rëndësishme që ne të arrijmë paqen sa më shpejt të jetë e mundur. U shpreha që situata në rajon të jetë plotësisht e qëndrueshme dhe e sigurt, besoj se do të kemi mbështetje të konsiderueshme edhe nga Franca në këtë drejtim”, përfundoi Vuçiq.

Publikime te ngjashme