Një nga avokatët më të njohur të Prizrenit, Nexhat Elshani, gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas njoftimit zyrtar të bërë nga Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës – Dega Regjionale në Prizren, Blerim Mazreku, avokati Elshani ndodhet aktualisht në gjendje kome.
Situata e papritur ka krijuar nevojën urgjente për veprime nga ana e klientëve të avokatit Elshani. Familjarët e tij kanë vendosur të zhvendosen jashtë Kosovës pas datës 30 gusht, gjë që do të vështirësojë ndjeshëm procesin e tërheqjes së dokumenteve dhe lëndëve nga zyra e avokatit.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, avokati Mazreku u bën thirrje të gjitha palëve të përfaqësuara nga Nexhat Elshani që të veprojnë me shpejtësi. “Të gjithë klientët që dëshirojnë të tërheqin shkresat e lëndëve të tyre, njoftohen se zyra e avokatit Nexhat Elshani do të jetë e hapur deri të premten, më 30 gusht 2024, ora 16:00,” thuhet në njoftim.
Oda e Avokatëve të Kosovës – Dega regjionale në Prizren po monitoron nga afër situatën dhe ka premtuar mbështetje për të siguruar që të drejtat dhe interesat e klientëve të avokatit Elshani të mbrohen gjatë kësaj periudhe të vështirë.