Sot në Çikago do të nis Konventa Kombëtare Demokratike, ku duhet të zyrtarizohet emërimi i Kamala Harris si kandidate demokrate presidenciale për zgjedhjet e nëntorit në SHBA.
Në këtë takim do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka theksuar se ai nuk ka udhëtuar me ftesë të Qeverisë së SHBA-së, por me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI).
Siç është raportuar, në konventë do të jenë të pranishëm kryeministri Albin Kurti, anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike Alush Gashi dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë i Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj.
Në lidhje me ftesën për Kurtin, ambasadori amerikan është pyetur nga Radio Evropa e Lirë, por ambasadori theksoi se ftesa nuk është nga Qeveria Amerikane.
“Sa e di unë, kryeministri Kurti planifikon të marrë pjesë në Konventën Kombëtare Demokratike me ftesë të Institutit Kombëtar Demokratik (NDI – National Democratic Institute). Por, të jemi të qartë, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane. Partia Demokratike është një parti politike në Shtetet e Bashkuara. NDI-ja është krah i Partisë Demokratike që punon në ndërtimin e partive dhe institucioneve demokratike jashtë vendit”.
“Pra, kryeministri është ftuar nga NDI-ja, besoj në cilësinë e tij si kryetar i një prej partive të Kosovës, ashtu siç NDI-ja i ka ftuar edhe kryetarët e partive tjera të Kosovës. Por, kjo nuk është ftesë nga Qeveria amerikane”, ka thënë ndër tjerash ambasadori amerikan në një instervistë dhënë për REL.
Tubimi në Çikago do të zgjasë katër ditë dhe pritet të marrin pjesë mijëra njerëz, për të treguar entuziazmin e tyre për kandidaturën e Harris, i cili u bë kandidat pas tërheqjes së presidentit Joe Biden.
Pjesa kryesore e programit do të transmetohet drejtpërdrejt në të gjitha televizionet kryesore, si dhe do të transmetohet gjithashtu në platformat Hulu, Paramount Plus, Peacock dhe Max, në kanalet YouTube dhe X të Komitetit Kombëtar Demokratik dhe faqet e tjera të internetit.
E ndërsa në konventë pritet një atmosferë gazmore, para Qendrës së Bashkuar në Çikago priten demonstrata për shkak të pakënaqësisë me politikën e administratës demokratike ndaj Izraelit, i cili po bën luftë në Gaza.
Biden do ta hapë konventën me një fjalim që do të jetë edhe lamtumira e politikanit që ishte kandidati demokrat për president vetëm pak javë më parë, i cili pritej të pranonte nominimin në konventë.
Në fjalimin e tij, Biden do të insistojë se do të përbëjë një kërcënim për demokracinë në SHBA nëse ish-presidenti amerikan dhe kandidati republikan për president Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, thanë ndihmësit e Biden, raportoi AP.
Ata thanë se folësit në konventë pritet t’i referohen arritjeve të Biden gjatë presidencës së tij, përfshirë masat e zbatuara gjatë pandemisë së koronës, investimeve të mëdha në infrastrukturë dhe reformën e kujdesit shëndetësor.
Është bërë e ditur se Zonja e Parë e SHBA-së Jill Biden dhe anëtarë të tjerë të familjes Biden do të jenë të pranishëm në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago.
Ish-kandidatja presidenciale Hillary Clinton dhe ish-presidentët Barack Obama dhe Bill Clinton janë gjithashtu folës të paraqitur.
Guvernatori i Minesotës dhe kandidati për nënpresident Tim Walz do të prezantohet para amerikanëve të mërkurën në mbrëmje dhe në ditën e fundit të kongresit do të flasë kandidatja për presidente, Kamala Harris.
Biden u tërhoq nga fushata e rizgjedhjes më 21 korrik pas presionit nga Partia Demokratike për ta bërë këtë, dhe më pas miratoi Kamala Harris që të ishte kandidatja demokrate për presidencën e SHBA.