Kryeministri Albin Kurti vizitoi sot Ulpianën antike, vendin e zbulimit të fundit të një mbishkrimi të rëndësishëm të Perandorit Justinian. Gërmimet aktuale, të udhëhequra nga një ekip ndërkombëtar arkeologësh, kanë nxjerrë në dritë thesare të reja.
“Gërmimet e zgjeruara në bazilikën e Justinianit kanë zbuluar fragmente mozaiku me motive gjeometrike, shpendë, kupa dhe shatërvanë. Këto simbole lidhen me ritualet e pagëzimit,” shpjegoi Kurti në një postim në Facebook.
Kryeministri vlerësoi lart cilësinë artistike të mozaikut, duke theksuar përdorimin e gurëve vendorë dhe teknikën e sofistikuar me mbi katër nuanca. “Këto vepra artistike, krijuar gjatë sundimit të Justinianit, hedhin dritë mbi të kaluarën tonë të pasur,” shtoi ai.
Kurti theksoi potencialin e jashtëzakonshëm të Ulpianës për zhvillimin e turizmit. “Kemi miratuar Planin e Menaxhimit dhe kemi shpallur thirrjen për zbatimin e tij, me synim funksionalizimin dhe interpretimin dinjitoz të këtij thesari kulturor,” tha ai.
Vizita përfshiu edhe takimin me studentë të arkeologjisë, disa prej të cilëve përfitojnë nga bursat qeveritare. Kurti shprehu mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë për arkeologjinë, duke e konsideruar atë një prioritet programor me mbështetje institucionale, profesionale dhe financiare.