FC Mallorca, klubi i njohur i La Liga spanjolle, ka publikuar së fundmi një video që ka prekur zemrat e shumë tifozëve të futbollit. Protagonisti i kësaj videoje është sulmuesi prizrenas Vedat Muriqi, i cili merr një dhuratë të veçantë nga klubi i tij i fëmijërisë, KF Liria e Prizrenit.
Në video, Muriqi shfaqet duke pranuar një fanellë speciale me mbishkrimin “El Pirata”, e cila mban logon e FC Liria. Kjo dhuratë e papritur e ka prekur thellë lojtarin, duke i kujtuar rrënjët e tij futbollistike dhe rrugëtimin e jashtëzakonshëm që ka bërë për të arritur këtu ku është.
“U rrite te FC Liria, për të pushtuar majat e futbollit botëror,” është mesazhi që shoqëron videon, duke nënvizuar udhëtimin e jashtëzakonshëm të Muriqit nga një klub i vogël në Kosovë deri te liga më e fuqishme në botë, siç është sot La-Liga.
Gjatë videos, Muriqi ndau kujtime nga ditët e tij të para në futboll, duke reflektuar mbi sfidat që hasi pas përfundimit të luftës në Kosovë. Ai shprehu se logo e FC Liria i sjell në mendje shumë kujtime nga fillimi i karrierës së tij si futbollist në Prizren.
“Kjo logo më kujton shumë. Më kujton klubin ku kam filluar hapat e parë të karrierës sime si futbollist,” tha Muriqi, duke shtuar se shikimi i logos së klubit të tij të fëmijërisë i sjell në mendje ditët e kaluara në Prizrenin e pas luftës.
Ky gest i veçantë nga FC Mallorca nuk është vetëm që nderon karrierën e Muriqit, por edhe forcon lidhjet mes klubit spanjoll dhe KF Liria. Përfaqësuesit e klubit kosovar shprehën mirënjohjen e tyre të thellë ndaj Mallorcas për këtë nismë, duke theksuar se ky bashkëpunim i afron më shumë me një klub legjendar si Mallorca.
KF Liria shprehu gjithashtu krenarinë e tyre për suksesin e arritur nga ish-lojtari i tyre. “Jemi krenarë si klub që ish-lojtari ynë, i rritur te FC Liria dhe në qytetin e Prizrenit, Vedat Muriqi, ka arritur kaq sukses në karrierë dhe po tregon performancë të jashtëzakonshme te klubi i Mallorcas,” u shpreh një zëdhënës i klubit kosovar.
Në fund të videos, Muriqi, dukshëm i emocionuar, vesh fanellën speciale dhe e prezanton atë me krenari para bashkëlojtarëve të tij në Mallorca. “Është krenari të veshësh këtë ndresë,” tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e rrënjëve të tij dhe klubit që e ndihmoi të bëhej futbollisti që është sot.
Kjo ngjarje nuk është vetëm një moment emocionues për Muriqin dhe tifozët e tij, por edhe një shembull i fuqishëm i lidhjes së fortë që futbollistët mbajnë me klubet e tyre të fëmijërisë, pavarësisht suksesit që arrijnë në karrierë. Ajo gjithashtu tregon se si sporti mund të bashkojë njerëz dhe komunitete përtej kufijve, duke krijuar ura miqësie dhe respekti.