Lajçak: Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës në veri, janë të pavërteta dhe çorientuese

1 minute, 28 seconds Read

Emisari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka kundërshtuar zërat se BE-ja është kundër hapjes së urës kryesore të Ibrit, duke i quajtur këto pretendime të pavërteta dhe çorientuese.

Në një postim në platformën “X”, Lajçak ka theksuar se BE-ja gjithmonë ka insistuar që çështja e hapjes së urës duhet të trajtohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja.

“BE-ja ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme se çështja e urës së Mitrovicës duhet të diskutohet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Pretendimet se BE-ja është kundër hapjes së urës ose ka ndryshuar qëndrim janë të pavërteta dhe çorientuese,” ka shkruar ai.

Nga ana tjetër,zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryenegociatori për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka deklaruar në “X” se BE-ja po kërcënon me vendosjen e masave të reja ndaj Kosovës nëse zbatohet marrëveshja që vetë ajo ka ndërmjetësuar.

Bislimi ka shpjeguar se gjatë vizitës së fundit të Lajçakut në Kosovë më 19 qershor, emisari i BE-së kishte rekomanduar që çështja e urës mbi lumin Ibër të diskutohej brenda dialogut në Bruksel ose, nëse Kosova nuk e preferon këtë, të zhvillohen bisedime të brendshme me serbët lokalë.

Gjithashtu, një partner i QUINT-it kishte kërkuar që të kryheshin inspektime teknike.

Pas përmbushjes së këtyre kërkesave, Bislimi ka theksuar se BE-ja tani po kërcënon me masa ndaj Kosovës në rast të hapjes së urës për qarkullim të automjeteve.

Publikime te ngjashme