Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka thënë se çfarëdo veprimi për Urën e Ibrit në Mitrovicë do të ketë koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
I pyetur për të komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, se ekziston rrezik për ushtarët amerikanë nëse hapet ura në Mitrovicë këtë kohë, Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës e merr shumë seriozisht mirëqenien e ushtarëve amerikanë.
“Ata janë ushtarët më të dashur të KFOR-it te qytetarët tanë. Po i vazhdojmë koordinimet dhe konsultimet me partnerët, përfshirë KFOR-in që gjithçka të shkojë mirë e të mos ketë asnjë incident e lëre më shumë. Ne besojmë se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit janë mbi të gjitha e do të ketë koordinim për secilin veprim të ndërmarrë”, ka thënë ai të mërkurën në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Krasniqi ka thënë se përmes hapjes së Urës së Ibrit do të përmbushej obligimi nga marrëveshja e Brukselit. Ai ka deklaruar se nuk ka arsye për mbajtjen mbyllur për qarkullim të kësaj ure.
“Nga viti 2018 deri më 2021 në raportet e BE-së thuhet se ura është gati e duhet të hapet për qarkullim të plotë, të pavonesë dhe pa pengesa. Duke qenë sponsorizuese e marrëveshjes dhe planit të zbatimit për hapjen e urës, BE-ja duhet të tregojë çfarë ka ndryshuar nga viti 2023?” ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se nuk mund të japë datë se kur do të veprohet për hapjen e urës.
Partnerët ndërkombëtarë kanë kritikuar Kosovën duke e cilësuar planin për hapjen e urës mbi Ibër si “veprim të njëanshëm dhe të pakoordinuar”. Edhe KFOR-i ka thënë se çfarëdo vendimi për hapjen e urës duhet të merret në dialog.