Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, ka folur për takimin e djeshëm me gjeneralin e KFOR’it, Ozkan Ulutas.
Ai tha se raportin preliminar mbi stabilitetin e Urës së Ibrit e ka ndarë edhe me komandantin e KFORit.
Kryeministri Kurti tha se do të vazhdojnë diskutimet dhe koordinimin me partnerë, duke shtuar se hapja e urës nuk është kundër askujt “aq më pak partnerëve tanë”.
“Me komandantin Ulutas diskutuam edhe për hapjen e Urës kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, të cilën ne e konsiderojmë si një gjë të drejtë, të nevojshme dhe të dobishme për të gjithë. I kemi mirëpritur raportet preliminare të vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, rezultatet përkatëse të këtyre raporteve që i kemi ndarë dje menjëherë edhe me komandantin e KFOR-it, Gjeneralin Ulutas dhe ekipin e tij në frymën e konsultimeve dhe koordinimit të vazhdueshëm që kemi. Qeveria dhe unë si kryeministër besojmë thellësisht se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit në njërën anë si dhe paqja e siguria në anën tjetër janë të mundura bashkë dhe të duhura për vendin, shoqërinë dhe shtetin, qytetarët dhe komunitetet. Ne do të vazhdojmë diskutimet dhe koordinimin me partnerët tanë, hapja e urës s’është kundër askujt, aq më pak partnerëve tanë. Kosova është shtet normal dhe urat e saj duhet të jenë normale, që do të thotë të hapura”, tha ai.