Ka kohë që historia kishte peshë të rëndë në mendjen e Vladimir Putinit. Justifikimi i tij fillestar për pushtimin e Ukrainës ndërlidhej me idenë e rreme për të kaluarën, duke përfshirë pohimin se Ukraina nuk kishte të drejtë legjitime për të ekzistuar si komb i pavarur.
Ky është gjithashtu një mësim i vështirë për ata komentues të kolltukëve të cilët, pa asnjë lidhje me përvojën luftarake, kanë kërkuar që luftën e Ukrainës ta përdorin për ta gjykuar artin ushtarak të luftës me tanke dhe të manovrës së kombinuar të armëve, duke na thënë se e ardhmja janë dronët dhe lufta kibernetike dhe elektronike. Ndoshta të joshur nga tentimi shkatërrimtar dhe i pafuqishëm i forcave “elitare” ruse për të kryer manovra të blinduara në fillim të luftës, ata e gëlltitën idenë se tanket dhe gjërat e tjera janë pjesë e historisë.
Por, ata prej nesh me përvojë sado të vogël në luftën tokësore, shumë shpejt vërejtën se sulmi fillestar rus dështoi jo sepse ideja prapa tij ishte e vjetruar. U pengua sepse ekuipazhet ruse të tankeve ishin dobët të trajnuara dhe se udhëhiqeshin keq, me tanke të cilat u shkatërruan në mijëra, shpeshherë nga arma kundërtank britanike, NLAW.
Ajo që Ukraina ka vërtetuar, në vend të kësaj, është se Parimet e Luftës – Bibla e luftëtarëve të suksesshëm që nga kohërat e lashta, duke u mbështetur te mësimet e të gjithëve, që nga Carl von Clausewitzi te Napoleoni – janë shumë të gjalla. Parimet e befasisë, të shpirtit sulmues dhe përqendrimit të forcës, patën sukses për sovjetikët në vitin 1943 dhe po funksionojnë sot për forcat ukrainase. Po t’i dëgjonit fanatikët e dronëve, do të kishit menduar se është e pamundur të arrini befasi në fushëbetejën e sotme “transparente”. Ata harruan se droni është po aq i zgjuar sa operatori i tij dhe se të dy palët në konflikt kanë ndikim në rezultat.
Lëvizja aktuale e Ukrainës do ta dëmtojë Putinin në të paktën tri mënyra. Së pari, kjo do të thotë se do të detyrohet të devijojë forcat për t’u mbrojtur kundër inkursioneve të tjera përtej kufirit, të cilat pa dyshim janë planifikuar të çekuilibrojnë më tej agresorët rusë. Kievi ka futur një element shtesë rreziku në planifikimin rus. Tashmë është gjithashtu e qartë se Rusia nuk ka më asnjë rezervë të lëvizshme për të mbyllur boshllëqet në mbrojtjen e saj dhe se sigurisht nuk ka asnjë sinjal se vendasit kanë ndonjë dëshirë të marrin kosën dhe tërfurkun për të ngadalësuar përparimin ukrainas.
Së dyti, është thellësisht e turpshme dhe mund të ndihmojë në destabilizimin e sundimit të Putinit. Kremlini nuk po mundet të mbrojë territorin e Rusisë, e lëre më të nënshtrojë Ukrainën, dhe për herë të parë duket se kjo po zë vend të konsiderueshëm transmetimi në mediat kryesore.
Së treti tregon se Ukraina – për të ndryshuar faktet ushtarake në terren – nuk ka nevojë për të njëjtin numër të njerëzve apo të armëve si rusët. Në vitin 1943, gjermanët sulmuan me qindra mijëra njerëz dhe me mijëra tanke. Ukrainasit kanë kapur disa qindra kilometra katrorë me disa mijëra burra dhe një grusht tankesh. Me fjalë të tjera, fitorja për Ukrainën nuk është aspak e paarritshme.
Evropa dhe Shtetet e Bashkuara tani mund të kthehen më shumë kah Lindja e Mesme sesa kah Ukraina, por kjo e fundit është shumë më e rëndësishme për sigurinë tonë. Në vend që të shqetësohet për “përshkallëzimin”, Perëndimi duhet të sigurojë që Ukraina të ketë mundësinë të përforcojë sukseset e veta taktike në Kursk, si mjet për ta ulur Rusinë në tryezën e bisedimeve. Në të vërtetë, kjo është mundësia për ta shkurtuar luftën, mundësi të cilën padyshim Churchilli dhe Roosevelti do ta kuptonin. Mjerisht, nuk e kemi kalibrin e tyre sot, por është ky është shansi i Sir Keir Starmerit për të lënë gjurmën e vet dhe që Joe Bideni të ketë një trashëgimi të mirë.
Por, ky është gjithashtu sinjal i madh për Analizën e re Strategjike të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, sepse lufta nuk ka ndryshuar rrënjësisht nga dronët e çmimit të lirë. Zyrtarët të cilët e drejtojnë analizën nuk duhet të dëgjojnë shumë studiuesit e mirë të cilët duket se e njohin çdo centimetër të çdo beteje, por nuk kanë përvojë në asnjë betejë. Ata duhet të analizojnë mendimet e atyre prej nesh që në fakt kemi fituar disa luftëra.
(Autori është ish-ushtarak britanik)
Burimi: The Daily Telegraph (titulli: Vladimir Putin’s hubris has finally met its nemesis)
Përkthimi: Telegrafi.com