Mijëra protestues kanë nisur marshin të shtunën në Beograd, për t’i kundërshtuar planet për mihje të një miniere të litiumit në Serbi.
Zllatko Kokanoviq prej Asociacionit “Nuk e japim Jadarin”, u ka bërë thirrje protestuesve të nisen drejt urës Gazella në Beograd, njëherësh ura më e madhe mbi lumin Sava në kryeqytetin serb, dhe më pas t’i bllokojnë dy stacione hekurudhore.
Ai ka thënë se pas arritjes në urë, protestuesit do të ndahen në dy grupe dhe do t’i bllokojnë stacionet Prokop dhe Novi Beograd [Beogradi i ri].
“Nuk ka kthim mbrapa, ne po e mbrojmë Serbinë”, ka thënë Kokanoviq, dhe i ka bërë thirrje turmës që protesta të jetë paqësore.
“Nuk do të ketë minierë” – është mesazhi që po çojnë përpara protestuesit.
Ata janë mbledhur në protestën e organizuar prej Aleancës së Organizatave për Ambientin e Serbisë, pasi Qeveria nuk e ka përmbushur kërkesën e protestuesve për të miratuar një ligj brenda 40 ditësh, që ndalon mihjen e litiumit dhe hapjen e minierave në luginën e lumit Jadar, në perëndim të Serbisë.
“Duket se jemi kemi rënë viktimë e një kolonie të ardhshme minerare. Ne nuk do ta lejojmë këtë. Prandaj jemi këtu për të ngritur zërin, për t’u mos pajtuar, dhe për të mbrojtur mbijetesën e shtetit tonë”, ka thënë aktorja dhe aktivistja për mbrojtje të ambientit, Svetllana Bojkoviq, para protestuesve.
Profesoresha Dragana Gjorgjeviq, e Fakultetit të Kimisë, ka thënë se dëmi prej minierës është i pariparueshëm.
“Plehrat e mbetura të së kaluarës kanë qenë helmuese për shekuj, nëse jo mijëvjeçarë. Ne veçse kemi vende të tilla në Serbi. Mirëpo ajo minierë nuk ka qenë aq intensive, sa kjo që po planifikohet sot”, ka thënë ajo.
Protestuesit kanë mbajtur në duar mbishkrimet, “Ndal Rio Tinto, nuk do të gërmosh”, “Jo mihjes, eksploatimit, emigrimit”, “Rio Tinto, largohu prej Serbisë”.
Kjo është njëra prej 50 protestave që kanë mbajtur serbët, duke nisur prej fundit të qershorit.
Organizatorët e protestës në Beograd, Zllatko Kokanoviq dhe Nebojsha Petkoviq, kanë thënë se janë ftuar për intervistim prej Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në Serbi (BIA), pak para se të niste marshi.
Ata kanë bërë të ditur në faqen e tyre në Facebook se janë liruar pas një bisede të shkurtër dhe janë paralajmëruar që, bllokadat e përfolura pas protestës, janë ilegale, dhe që duhet të bëhen gati për t’u përballur me pasoja.
Më 11 korrik, Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ka rrëzuar vendimin e Qeverisë paraprake serbe, e cila e ka pezulluar projektin “Jadar”, të kompanisë australiane “Rio Tinto”, më 2022.
Zyrtarë të shumë qeveritarë janë deklaruar për protestat, dhe janë pajtuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq se qëllimi kryesor i protestës së 10 gushtit është “rrëzimi i Qeverisë”.
Vuçiq ka folur vazhdimisht me tone pozitive për projektin “Jadar”, dhe ka thënë se miniera e litiumit duhet të nisë punën më 2026, nëse “ofrohen garanci që nuk do të rrezikohet ambienti dhe jeta e njerëzve”.
Ambientalistët, në anën tjetër, dhe një pjesë e publikut, besojnë se pasojat janë të pakthyeshme për ambientin.
Litiumi përdoret për të prodhuar bateri të telefonave mobilë, kompjuterëve dhe makinave elektrike.
Kompania Rio Tinto e ka zbuluar më 2004, një kombinim të litiumit dhe borit, në perëndim të Serbisë.
Rezervat e këtij metali në Serbi vlerësohet se shkojnë në 158 milionë tonë.
Megjithatë, Qeveria e udhëhequr prej ish-kryeministres, Ana Bërnabiq, e pati ndalur punën në këtë projekt, pas protestave masive, dhe pati pezulluar licencën për Rio Tinton.
Por, zyrtarët serbë e kanë rikthyer projektin sërish në jetë.
Vuçiq ka thënë për të përditshmen “Financial Times” në qershor se Rio Tinto ka dhënë garanci të reja dhe që Bashkimi Evropian u është përgjigjur shqetësimeve për standarde të mjedisit.
Bërnabiq, tani kryetare e Kuvendit të Serbisë, ka thënë se, do të jetë “jonormale” nëse Serbia çon përpara minierën e litiumit, dhe që ky shtet ka standarde strikte për ambientin.
Rio Tinto i ka thënë më parë Radios Evropa e Lirë që ekspertë të brendshëm dhe ndërkombëtarë, kanë konfirmuar që projekti Jadar do të finalizohet në mënyrë të sigurt dhe në përputhje me standardet më të larta.
Më 6 gusht, ministri serb i Shëndetësisë, Zoran Lonçar, e ka prezantuar një ekip të ekspertëve shëndetësorë, të cilët, sipas tij, do të vlerësojnë ndikimin e minierës së litiumit te shëndeti i njerëzve.
Disa ekspertë vendorë dhe të huaj vlerësojnë se procesi i eksploatimit të litiumit përcillet me pasoja në ambient, si dhe me ndotje të ujit dhe tokës./rel