Ambasada e Amerikës në Kosovë është deklaruar kundër mbylljes së nëntë degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës. Ambasada e SHBA thotë se ky “veprim i njënashëm dhe i pakoordinuar vë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it”.
Andaj, SHBA i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të “ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
Reagimi i plotë:
Qeveria e SHBA është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kundër degëve të postave serbe në veri të Kosovës.
Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm të njëanshëm dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Këtë hap të autoriteteve të Kosovës, Bashkimi Evropian e konsideroi gjithashtu të njëanshëm dhe të pakoordinuar, “i cili shkel marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. BE i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut me Serbinë.