Së fundmi është publikuar videoja e një momenti qesharak kur lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, përplaset me një pemë ndërsa po lundronte me varkë për të vëzhguar zonat e përmbytura.
Pamjet tregojnë diktatorin teksa po kalonte nëpër një tokë bujqësore të zhytur në ujë, pasi shiu në Korenë e Veriut la mijëra njerëz të bllokuar nga përmbytjet gjatë fundjavës.
Në video shihet varka duke shkuar me shpejtësi drejt një peme. Më pas, udhëheqësi koreano-verior rregullon flokët, ndërsa varka vazhdon të lundrojë, përcjell Telegrafi.
Bëhet e ditur se shiu i madh ka goditur qytetin Sinuiju dhe qarkun Uiju që kufizohet me Kinën.
Kim Jong Un u pa gjithashtu duke vëzhguar edhe zonat e goditura nga përmbytjet në kufirin e vendit me Kinën në një veturë luksoze gjatë fundjavës.
Ndryshe, Koreja e Veriut është e prirur ndaj përmbytjeve nga shirat e dendur të verës për shkak të kullimit të dobët, shpyllëzimit dhe infrastrukturës së rrënuar.
Siç raportohet, nga përmbytjet e fundit janë dëmtuar rreth 4,100 shtëpi, fusha të shumta bujqësore, ndërtesa publike, rrugë, hekurudha, si dhe mijëra njerëz kanë mbetur të bllokuar./Telegrafi