Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar Ujkan Metaj, i cili 12 ditë më parë ishte arratisur nga ana e burgut të Dubravës.
Identifikimit dhe lokalizimit të tij i ka paraprirë ndërmarrja e masave aktive hetimore dhe operative, të cilat kanë rezultuar edhe me arrestimin e personit të dyshuar.
“Si rezultat i angazhimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, konkretisht të Drejtorisë Rajonale në Pejë, në kërkim të personit të dyshuar U.M, viti i lindjes1988 nё Istog, i cili ishte i kërkuar për vepren penale “Arratisja e personit tё privuar nga liria”, thuhet në njoftim.
Metaj është i dënuar me burgim për përfshirjen e tij në grabitjen e një banke në Istog në rastin ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj.
Gjykata Themelore në Pejë gjatë 2019 e kishte dënuar me pesë vjet burg, të akuzuarin Ujkan Metaj, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se e kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog, ku si pasojë e kësaj, ishte vrarë polici Izet Demaj.
Gjatë kësaj grabitje, gjatë shkëmbimit të zjarrit me pjesëtarë të policisë, kishte mbetur i vdekur edhe grabitësi Kamer Metaj.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, të akuzuarit Ujkan Metaj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgimin nga 27 dhjetori 2018, e tutje.
Por më pas Apeli ia shtoi edhe dy vjet, e që në plotëni ai për këtë rast u dënua me 7 vjet burgim./Telegrafi