26 vjeçari Yuval Green, është një nga disa ushtarë izraelitë që kanë folur hapur kundër luftës brutale ndaj palestinezëve në Gaza.
Rezervisti u thirr me nisjen e konfliktit në jug të Gazës, por vendosi të largohet nga ushtria e Izraeit kur i kërkuan të djegë një shtëpi palestineze aty.
“Ata na dhanë urdhrin për të djegur një shtëpi, unë shkova te komandanti dhe e pyeta, ‘Përse po e bëjmë këtë?’” tha Green javën që shkoi për rrjetin amerikan ABC News.
“Përgjigjet që më dhanë nuk ishin të kënaqshme dhe as justifikuese. Dhe unë thashë ‘nuk mund të marr pjesë në këtë. Nëse ne e bëjmë këtë, unë largohem’”.
Ushtria izraelite tha për rrjetin ABC News se “veprime të tilla bazohen në nevojat ushtarake dhe sipas ligjit ndërkombëtar”, megjithëse asnjë ekspert ligjor nuk ka përmendur më parë se mund të djegësh një shtëpi civile ‘sipas ligjit ndërkomëbtar’.
Ushtria izraelite tha se në doktrinën e saj nuk përfshihet ‘dëmi sa më i madh ndaj infrastrukturës civile me justifikimin e nevojës ushtarake”.
Ata shtonin se disa incidente të veçanta, “po hetohen nga një trup i pavarur i ushtrisë”.
Pak ushtarë izraelitë që kanë shërbyer në Gaza që prej nisjes së konfliktit në tetor, kanë folur kundër luftës, dhe shumica e kanë bërë në mënyrë anonime.
Por Green po e bën këtë publikisht bashkë me 40 rezervistë të tjerë që refuzojnë të shërbejnë në qytetin Rafah në jug të Gazës.
Megjithse pikëpamjet e tij nuk miratohen nga shumica, ai thotë se eksperienca e ka detyruar të flasë, si për llogari të izraelitëve dhe palestinezëve.
Green thotë se djegia ose prishja e shtëpive të palestinezëve dhe shkatërrimi i sendeve shtëpiake të mbetura, është e papranueshme, megjithëse ushtria thotë se ‘Hamas fshihet mes infrastrukturës civile dhe vendos eksplozivë në rajon’.
Green ka shërbyer si mjek ushtarak në Khan Younis, Gaza, deri në dhjetor.
“Duhet të mendosh për masën e dëmit që po shkakton ndaj një njeriu të varfër që po humbet gjithçka”, shton ai.
Ushtari tregon se masa e shkatërrimit që ka parë në Gaza, është e paimagjinueshme.
“Të gjitha ndërtesat janë të shkatërruara, ose të dëmtuara. Të gjitha rrugët janë prishur, nuk e di si mund të kthehen njerëzit aty për të jetuar”, thotë Green, teksa ne fakt Izraeli është akuzuar disa herë për spastrim etnik ndaj palestinezëve.
I pyetur se përse foli publikisht, ai tha se mundohet të flasë në favor të armëpushimit për të ndaluar vuajtjen e palestinezëve dhe për lirimin e pengjeve izraelite që besohet se kanë mbetur në Gaza.
“Ka një rrugë konkrete për të ndaluar dhunën dhe luftën, për këtë po pëpiqem”, tha mes tw tjerash ish-ushtari, duke iu referuar kërkesës se transparencës për mizorinë e shkaktuar në konflikt./ABCNews