Faton Hajrizi u vra në afërsi të një fabrike të braktisur në Loznicë, jo shumë larg vendit ku vrau policin Nikolla Krsmanoviq dhe plagosi Vjekoslav Iliqin.
Siç raportojnë mediat serbe, Hajrizi nuk ka pranuar të dorëzohet dhe ka qëlluar me një “breshëri” plumbash ndaj policëve që e kanë tentuar ta arrestojnë, transmeton Ballkani.info.
Policët u shpëtuan nga jelekët antiplumb dhe helmetat që kishin.
Siç bëhet e ditur, Fatoni fshihej në ambientet e braktisura të fabrikës Viscose ku ishin strehuar emigrantët dhe fshihej mes tyre. Dyshohej se ai ka kaluar me not lumin Drina, por është vendosur në mesin e mërgimtarëve në Loznicë.
Ministri serb i Policisë, Ivica Daçiq ka dalë në vendin e ngjarjes.
“Anëtarët e policisë vranë një vrasës policie në afërsi të Loznicës”, tha Daçiq.
Kujtojmë se të mërkurën një orë pas mesnate gjatë kontrollit të automjetit në pikën kufitare në Lipniçki Shor në Loznicë, punonjësit e policisë kanë ndaluar një automjet tip “Mercedes” të drejtuar nga taksisti Mithat Haxhiq nga Tutini, por personi në mjetin e pasagjerëve ka hapur zjarr në drejtim të tyre.
Nikolla ka ndërruar jetë nga plagët e marra, ndërsa kolegu i tij Vjekoslav është plagosur rëndë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën./Ballkani.info