Ish-pjesëtari i Zonës Operative të Nerodimes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani është dërguar në paraburgim ekstradues prej 30 ditëve në burgun Shutka, pasi u arrestua dje në vendkalimin kufitar Jazhincë në Maqedoninë e Veriut, bazuar në një fletarrestim të lëshuar nga Serbia.
Ramadani, i është dorëzuar autoriteteve në Tetovë për veprime të mëtutjeshme.
Ky veprim nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, sipas ish- kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani është i papranueshëm, i cili do të sjellë një tensione ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ramadani thotë se shqiptarët që janë pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut duhet të sillen me më shumë përgjegjësi dhe të bëjnë të qartë se cilat janë “vijat e kuqe” në raport me vlerat kombëtare shqiptare kudo që janë.
Ramadani, ka shtuar se ftesat përmes Interpolit nga ana e Serbisë janë abuzim në raport me Kosovën, e cila nuk është e anëtarësuar në këtë organizatë.
“Topi” sipas tij është në duart e shqiptarëve pjesë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të cilët kanë luftuar me gjithçka për të zënë atë pozitë. Sipas tij, gabimi i parë nga ana e shqiptarëve është mundësia e dhënë Ivan Stoiljkoviq si zëvendëskryeministër, i cili është i njohur si politikan i afërt me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kreun e Republikës Serbe Milorad Dodik.
Sektori për Punë të Brendshme – Tetovë (SPB) konfirmoi se dje në vendkalimin kufitar Jazhincë është ndaluar një 47-vjeçar shtetas i Kosovës i cili kërkohej nga Interpoli i Serbisë. I njëjti i është dorëzuar zyrtarëve policorë në SPB-Tetovë për procedurë të mëtutjeshme.
Flet-arresti ndërkombëtarë i lëshuar nga Serbia në Interpol është pranuar nga Gjykata Penale dhe Blerim Ramadani 30 ditë do të qëndrojë në burg. Propozimin për masën e kujdesit e ka dhënë Prokuroria e krimit të organizuar. Së fundi, autoritetet në Serbi kanë arrestuar edhe katër shtetas të Kosovës, të cilët Beogradi i ka akuzuar për kinse krime lufte.