Mbi dy dekada i janë dashur familjes Xhaka që të kthehet në banesën e saj në Mitrovicën e Veriut, prej nga ishin larguar pas presioneve që i bënin serbët pas luftës. Prej asaj kohe, kjo familje nuk kishte reshtur përpjekjet që të kthehej në vendbanimin e tyre.
Kjo u bë e mundur vetëm pas një vendimi të Gjykatës Supreme, e cila vendosi në favor të familjes Xhaka e largoi uzurpatorin.
“Procesi ka qenë i vështirë. Kemi pasur vështirësitë tona pas luftës. Dihet që banorët e qytetit të Mitrovicës, sidomos të veriut janë përballur me shumë vështirësi sidomos të banimit”, thekson Artan Xhaka, qytetar i Mitrovicës se Veriut, të cilit i janë dorzuar çelsat e e banesës së tij.
Për shkak të pasigurisë së madhe, familja e tij së bashku me banorë të tjerë kishin mbetur të mbyllur gjatë kohës së luftës.
“Është një koincidencë. Gjatë luftës kemi qëndruar në këtë hapësirë, kemi banuar. Në banesë kemi qëndruar krejt kohën e luftës. Kemi mbet këtu dhe pasandaj s’kemi mudur me bë lëvizje me dal jashtë Kosovës. Kështu që krejt luftën këtu e kemi kalu, bashkë me disa banorë shqiptar, 4 ose 5 kemi mbetur në këtë hyrjen tonë”, ka rrëfyer Xhaka.
Për shkak të tensioneve që ishin të shpeshta dhe të mëdha në pjesën e veriut në vitin 2001, ata ishin tërhequr në pjesën jugore por që në pjesën veriore kishin filluar uzurpimet e banesave.
“Pastaj ka ndodh uzurpimi i pronës, i banesës tonë”, tha theksuar ai.
Familja Xhaka e kishte kaluar jetën nëpër banesa me qira në jugun e Mitrovicës, pasi proceset gjyqësore po zgjasnin.
Në nëntor të vitit 2023, Gjykata Supreme kishte nxjerrë aktgjykimin që prona i takon familjes Xhaka, por ish-uzurpatori nuk i ka dorëzuar çelësat deri tash në korrik.
Artan Xhaka i është kthyer jetës. Qyteti i duket më ndryshe, por i qetë dhe se po ecën lirshëm./RTK