Një ngjarje e trishtë ka ndodhur në një familje në fshatin Balaj në Ferizaj, ku një fëmijë humbi jetën tragjikisht. Djali i familjes Tahiri u dërgua në gjendje të rëndë shëndetësore në QKUK, ku edhe vdiq, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali nga burimet brenda QKUK-së, bëhet fjalë për një fëmijë të moshës 2-vjeçare – vdekja e të cilit tronditi familjen.
Në bazë të informacioneve të para, fëmija u gjet në gjendje të rëndë në një pishinë jo fort të madhe që ndodhej në oborrin e shtëpisë së tyre.
Për pasojë, familja e dërgoi në Spitalin e Ferizajt pasditen e së enjtes e më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se 2-vjeçari nuk ka arritur të mbijetojë dhe për fat të keq mëngjesin e djeshëm ka humbur jetën.
Vdekja e fëmijës u konstatua nga ekipi mjekësor, teksa lidhur me rastin u njoftua edhe Policia e Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion dhe është iniciuar hetimi.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja./GazetaSinjali