“KE i ofroi X-it një marrëveshje sekrete të paligjshme: Nëse ne e censuronim lirinë e shprehjes në heshtje pa i thënë askujt, ata nuk do të na gjobisnin”, shkroi Musk në X, duke shtuar: “Platformat e tjera e pranuan atë marrëveshje. X jo”
Shefi ekzekutiv i platformës së mediave sociale X, Elon Musk, tha se Komisioni Evropian i ofroi platformës së tij një “marrëveshje sekrete të paligjshme” për të censuruar “në heshtje” lirinë e shprehjes, pasi Komisioni Evropian akuzoi platformën për shkelje të ligjeve digjitale të BE-së, transmeton Anadolu.
“Komisioni Evropian i ofroi X-it një marrëveshje sekrete të paligjshme: Nëse ne e censuronim lirinë e shprehjes në heshtje pa i thënë askujt, ata nuk do të na gjobisnin”, shkroi Musk në X, duke shtuar: “Platformat e tjera e pranuan atë marrëveshje. X jo”.
Deklarata e Musk-ut erdhi si përgjigje ndaj Komisionit Evropian që tha se X shkel Aktin e Shërbimeve Dixhitale (DSA) në fushat që lidhen me “modelet e errëta, transparencën e reklamave dhe qasjen e të dhënave për studiuesit”.
Komisioni Evropian mohoi akuzat, me ç’rast Komisioneri për Tregun e Brendshëm, Thierry Breton, u shpreh se nuk ka pasur dhe nuk do të ketë “marrëveshje të fshehtë” me asnjë.
Më herët, Komisioni vlerësoi se politika e medias sociale lidhur me “llogaritë e verifikuara” ndikon negativisht në aftësinë e përdoruesve për të marrë vendime të lira dhe të informuara në lidhje me vërtetësinë e llogarive në platformë dhe përmbajtjen me të cilën ndërveprojnë, pasi sipas Komisionit, çdokush mund të abonohet për të fituar një “llogari të verifikuar”.
Për më tepër, Komisioni vlerësoi se “X nuk përputhet me transparencën e kërkuar për reklamat, pasi nuk ofron një arkivë reklamash të kërkueshme dhe të besueshme”.
Komisioni paralajmëroi se nëse pikëpamjet e tij do të konfirmohen përfundimisht, X mund të përballet me gjoba të rënda duke përfshirë deri në 6 për qind të xhiros totale vjetore në mbarë botën.