Yamal, ylli i ri i Evropianit dërgon Spanjën në finale dhe shpallet më i miri i ndeshjes!

1 minute, 58 seconds Read

Spanja ka mposhtur Francën me rezultat 2 me 1 për të siguruar vendin në finalen e Evropianit.

“Stuhia e kuqe” i ka dhënë fund kështu ëndrrës së Kylian Mbappes që si kapiten i priu Francës, për të arritur finalen e Evropianit.

Kjo është hera e pestë që Spanja shkon në finale të Evropianëve, teksa e ka fituar tri herë. Për herë të fundit fitoi në vitet 2008 dhe 2012.

Franca kishte mundësi që të shkonte për herë të katërt, por në gjysmëfinale u ndal nga Lamine Yamal që sonte shkëlqeu bashkë me Dani Olmon, i cili tani bëhet golashënuesi më i mirë i Evropianit.

VIDEO

Pjesa e dytë i takoi Francës që gjatë tërë kohës ka bërë përpjekje për barazimin e rezultatit, ndërsa pjesa e parë i takoi plotësisht Spanjës.

“Trekolorët” e nisën më mirë takimin kur realizuan që në minutën e nëntë me golin e Randal Kolo Muani. Sulmuesi i PSG-së realizoi me kokë pas harkimit nga Kylian Mbappe.

Mirëpo gëzimi i francezëve ka zgjatur deri në minutën e 21 kur Lamine Yamal realizoi një nga golat më të bukur të këtij kampionati.

Me një goditje me këmbën e majtë, Yamal hyri në histori si golashënuesi më i ri në moshë kur mposhti portierin francez Mike Maignan.

Por “Stuhia e kuqe” përmbyti rezultatin vetëm katër minuta më vonë. Mesfushori Dani Olmo që po shkëlqen në këtë kampionat, gjuajti nga zona e rreptësisë, ndërkaq këtë goditje e devijoi në portë mbrojtësi francez Julies Kounde.

Ndërkaq, Franca hyri në këtë takim me më shumë se 500 minuta pa realizuar gol nga loja e hapur. Kylian Mbappe ka realizuar vetëm një gol dhe atë nga penalltia ndaj Polonisë në fazën grupore.

Spanja në finalen që zhvillohet më 14 korrik e pret fituesen e duelit mes Anglisë dhe Holandës.

Supertalenti Lamine Yamal u shpall më i miri i ndeshjes mes Spanjës e Francës. Ai shënoi supergol për Spanjën dhe gjithashtu u bë më i riu në histori të Evropianëve që shënoi gol.

Ekspertët e UEFA-s kanë çmuar paraqitjen e Yamalit duke e shpallur më të mirin.

Publikime te ngjashme