Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, thotë se bazuar nga puna që kanë bërë deri më tani institucionet e Kosovës do të rezultojnë edhe me arrestime të tjera të individëve për spiunazh.
“Nga puna që është pa deri më tani nga institucionet e Kosovës unë mendoj që do të kemi edhe arrestime të tjera që ndërlidhen me aktivitetet e grupeve dhe individëve që janë pjesë përbërëse e strukturës informative”, tha ai në emisionin “Këndi i Debatit”.
Shala u shpreh i bindur se do ketë shumë shpejtë arrestime edhe të grupeve që janë pjesë e strukturave informative të shtetit serb.
“Shumë shpejt do të kemi arrestime të tjera të individëve dhe grupeve të cilat ishin dhe janë pjesë përbërëse e strukturave informative të shtetit të Serbisë”, tha njohësi i sigurisë.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se janë arrestuar dy persona të dyshuar për spiunazh.
Prokuroria tha se dy shtetasit kosovarë u arrestuan të mërkurën pas një hetimi disamujor dhe se i ngarkon ata me veprën penale “spiunazh”.
Ata dyshohet se kanë spiunuar për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).
Ndërkohë, sot ndaj tyre Gjykata Themelore e Prishtinës ua ka caktuar 30 ditë paraburgim.