Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, në një intervistë në FRONTAL të T7 ka ndarë detaje ekskluzive rreth asaj që ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.
Ai ka thënë e Policia e Kosovës kishte reaguar shumë shpejt, në momentin e parë që përmes dronëve kishte parë se në Banjskë ishin futur njerëz të armatosur.
“Kemi reaguar shumë shpejt. Në momentin që i kemi çuar dronat lartë, pak pa u zbardhur drita”, ka thënë Elshani.
Ai tutje ka theksuar se ka qenë shumë me rëndësi të dihet se kur dhe si të veprohet. Pasi kanë marrë pozicionet, Elshani thotë se urdhri ka qenë që nëse e sheh një person me uniformë dhe të armatosur, duhet të vritet.
“E jona ka qenë me rëndësi të dimë se kur veprohet dhe si të veprohet. Me i marrë pozitat. Me njësitë speciale të trajnuara për atë punë. Kur i kemi zënë pozitat, urdhri ka qenë se nëse e sheh një person të armatosur me uniformë e gjuan. Kjo është me rëndësi për mua, që nëse hyn në shpi nuk e gjuan”, ka thënë Elshani në FRONTAL të T7.
Ai ka treguar se si kanë provuar të negociojnë me një prift që ka qenë brenda në Manastir për të mundësuar largimin e pelegrinëve, megjithatë thotë se pasi bisedës që kanë pasur një gjë e tillë ka qenë e pamundur për shkak të aspekteve të sigurisë.
“Kemi provuar me një prift ia kemi marrë kontaktin. Kemi tentuar largimin e pelegrinëve. Por s’ka pasur mundësi që ata me dalë prej aty, sepse ka qenë shumë rrezik”, ka thënë Elshani në FRONTAL të T7.
Ai ka treguar edhe për bisedën që ka pasur, ku e kanë pyetur priftin nëse pelegrinët mund të futen në autobus dhe të largohen nga Manastiri, por thotë se prifti ua ka konfirmuar se s’ka siguri për një gjë të tillë, meqë terroristët e armatosur ishin gjithandej nëpër Manastir.
“A ka mundësi që pelegrinët me u fut në autobus edhe me ardhë teposhtë. Por ai na tha që nuk jemi të sigurt për me dalë dhe kjo i ra që aty ka njerëz të armatosur”, ka treguar Elshani, shkruan Express.
Zv.drejtori ka vlerësuar ndërhyrjen në Banjskë duke thënë se ka qenë shumë e mirë dhe thotë se serbët e humbën betejën në Banjskë meqë e kishin nënvlerësuar Policinë e Kosovës.
“Ndërhyrja ka qenë shumë e mirë. S’kemi pasur qare pa ndërhy se na kanë gjuajtur me minahedhës. Konsideroj që marrja e territorit, provave, tre vetë janë vrarë, dy janë zënë të gjallë.Ska pas asnjë dëm kolateral. Policia i ka tmerru. Kanë humb se na kanë nënvlerësu. Edhe ne s’e kemi pasur rastin ta tregojmë.”, ka thënë Elshani.