Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se Gjeneral Fadil Hadërgjonaj nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“‘Bjeshka’ siç e thërrasin shokët e luftës, është një prej figurave më të shquara e të njohura në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Fadili shkollimin e kreu në vitin 1989, në Akademinë Ushtarake të ish APJ-së, në drejtimin ‘Mbrojtja e Hapësirës Ajrore’, për të vazhduar më pas në Shkollën Komando Shtabore në vitin 2008. Ndërsa vazhdoi në Akademinë për Mbrojtje në Britaninë e Madhe gjatë viteve 2011 – 2015. Në vitin 2018 magjistroi në Shkencat e Sigurisë në Prishtinë”, ka shkruar Abdixhiku në njoftimin në Facebook.
Kreu i LDK-së ka thënë se Fadil Hadërgjonaj për kontributin dhe shërbimin e tij të jashtëzakonshëm në karrierë morri medaljen e shërbimit dhe medaljen e karrierës nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.
“Gjatë karrierës së tij ushtarake, Fadil Hadërgjonaj ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj detyrave të tij, duke shërbyer në pozita të larta komanduese dhe udhëheqëse në Forcat e Armatosura të Kosovës. Ai me shumë përkushtim udhëhoqi Brigadën 138 “Agim Ramadani”, në vitin 1999 dhe shumë brigada tjera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu udhëhoqi Departamentin e Hulumtimeve/ Komanda e Doktrinës dhe Trajnimit në TMK; ishte shef i sektorit të Stërvitjeve dhe Ushtrimeve në MFSK; e udhëhoqi Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjeve. Ishte Këshilltar Ushtarak; Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë si dhe Komandant i Forcave Tokësore të Forcës”, ka shkruar Abdixhiku.
“Na priftë e mbara Gjeneral”, përfundon njoftimi i Abdixhikut.