Vuçiqi e Daçiqi “të pakënaqur” me dërgimin i Statutit të Asociacionit në kushtetuese!

5 minutes, 11 seconds Read

Asgjë zyrtare s’ka ende nga qeveria kosovare që të kenë pranuar (ta miratojnë me dekret) draft-Statutin e Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe gjer më sot e as që do ta dërgojnë për rishikim kushtetues në Gjykatën Kushtetuese; përveç lëvdatave publike të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rreth dokumentit se “është pakrahasimisht më i mirë se ç’ka qenë më parë”; pavarësisht se kurrë më parë s’ka pasur draft-Statut por vetëm “Parime” kushtetshmëria e të cilave ishte vënë në shqyrtim në vitin 2015.

Por, tashmë ditë-e-më-shumë po shpalohet ajo që dërgimi i këtij draft-Statuti në kushtetuese është duke u kthyer në kusht për votimin final të Kosovës në Këshillin e Evropës nga Këshilli i Ministrave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministri në mandatin teknik i Serbisë, Ivica Daçiq, e dhanë sot publikisht se miratimi i draft-Statutit të Asociacionit i është dhënë si kusht Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Vuçiq tha se – pa specifikuar më tej – më 10 maj “Prishtina synon këtë truk” të dërgimit të draft-Statutit të Asociacionit për rishikim kushtetues; ndonëse një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga dikush prej Qeverisë së Kosovës.

“Në letrat dërguar anëtare të KiE-së u kërkova të konsiderojnë edhe njëherë vendimin e tyre në Asamblenë Parlamentare që vjen pas dy ditësh, që votimi i tyre të jetë ndryshe në Këshillin e Ministrave, sepse edhe kur flasin për sundim të ligjit aty veç sundim të ligjit nuk ka…Asociacioni nuk është formuar qe 11 vite dhe nuk ekziston asnjë proces për themelimin e tij”, tha Vuçiq, siç e citoi agjencioni serb i lajmeve “Beta.rs”.

Të njëjtën gjë e tha edhe Ivica Daçiq, i cili shpërtheu edhe në akuza ndaj perëndimit që “dolën me këtë ide” të dërgimit të draft-Statutit si kusht për anëtarësim në KiE; ndërsa e quajti “manipulim”.

“Dhe, çka vendosën? Që të dërgojnë draft-Statutin në Gjykatën Kushtetuese. Çfarë do të thotë kjo, ta dërgosh? Çfarë do të përgjigjet Gjykata Kushtetuese. Dhe ata do të hynë në Këshill të Evropës. Me kë po talleni?”, ka thënë Daçiq duke folur për “Tv Prva”.

Gazetari Lirim Mehmetaj, raportoi ditë më parë duke u thirrur në burime se më 10 maj Qeveria e Kosovës pritet që përmes Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqit, ta dërgojë draft-Statutin në Gjykatë Kushtetuese. Nga Qeveria e Kosovës s’e ka demantuar askush raportimin gjer më tash.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjer më tash kanë qenë të vetmët që haptazi e kanë quajtur prerazi-kusht Asociacionin për anëtarësim në KiE.

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se rreth kësaj çështje – miratimin e draft-Statutit vis-a-vis mbështetjes gjermane për anëtarësimin e Kosovës në KiE – ende nuk kanë marrë pozicion final.

Nacionale megjithatë javë më par raportoi përmes burimeve diplomatike se qëndrimi i Gjermanisë vis-a-vis votimit final në Këshillin e Ministrave të Këshillit të Evropës – që praktikisht i bie në nivel qeverish – do të varet nga procedimi ose jo i draft-Statutit të Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian të ofruar qeverisë kosovare në fund të tetorit të vitit të kaluar.

“Jo zbatim i plotë i Asociacionit”, vëren burimi, por “progres në proces…dërgimi i propozimit të BE-së për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”.

Madje në atë se qëndrimi gjerman për mbështetjen me votë në instancën e fundit vendimarrëse të KiE-së ka të bëjë me marrjen e këtij hapi të parë drejt Asociacionit, bashkëbiseduesi ynë na thotë se ka qenë kështu ka herë.

“Progresi në lidhje me ASM-në ka qenë kërkesë qëmoti për anëtarësimin e Kosovës në KiE dhe është komunikuar vazhdimisht (nga gjermanët)”.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, në një intervistë për Nacionale muaj më parë – para botimit të raportit të Dora Bakoyanis – në fakt e kishte artikuluar thuajse njësoj.

Rohde na pati thënë se askush nuk i kërkon zbatimin në plotni të Asociaconit, thjesht të bëjnë hapin e parë. “Sepse nuk ka nevojë të zbatoni plotësisht Asociacionin dhe sigurisht që jo. Sepse krejt Marrëveshja e Brukselit është e ndërtuar në mënyrën që Serbia bën disa hapa, ndërsa Kosova e ka kryesisht Asociacionin”, na pati thënë ai.

Miratimi i draft-Statutit është edhe implicit pjesë e raportit të Bakoyanis

Në raportin (Opinionin) e Bakoyanis ajo e shkruan prerazi se vetë aplikimi i Kosovës, përkatësisht vetë konsiderimi nga KiE i aplikimit të Kosovës, “për herë të parë në histori të Organizatës, është bërë me lidhje direkte me një proces politik, i cili është në fascilitim nga një organizatë tjetër ndërkombëtare (BE)”.

E ky proces politik, thotë Bakoyanis, është Marrëveshja e Bruksel/Ohrit; “rëndësia e së cilës nuk mund të theksohet sa duhet” teksa i referohet Nenit 7 “të vetëmeanxhimit” për komunitetin serb krahas Nenit 4 nga i cili është argumentuar procedimi i aplikacionit për këtë anëtarësim në rend të parë.

Çka është më goditëse, Bakoyanis në pikën 39 ku ajo u drejtohet në raport Këshillit të Ministrave, përkatësisht vendimmarrësve finalë – ajo u drejtohet atyre që progresi drejt themelimit të Asociacionit “duhet të qëndrojë dukshëm lart në konsiderimim e ardhshëm të Komitetit të Ministrave për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

Në këtë lexim, duke e dhënë (mos)suksesin për anëtarësim në KiE të lidhur me (mos)suksesin në zbatim të Marrëveshjes së Bruksel/Ohrit, pikturohet qartë që Asociacioni veçse është ndjeshëm kusht kur raporti përfundimisht të hedhet në votim në Këshillin e Ministrave.

Publikime te ngjashme