Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka siguruar të gjithë se nuk do të ketë luftë në Kosovë.
Pavarësisht se inteligjenca lëshoi paralajmërimin për një rrezik të lartë për konflikte ndëretnike në Ballkanin Perëndimor, Shea mendon se nuk duhet dramatizuar situata.
“Nuk shoh perspektivë për një luftë mes Serbisë dhe Kosovës. Por ka tensione, sigurisht, dhe kjo është një nga arsyet pse NATO dërgoi forca shtesë në KFOR vitin e kaluar, si para incidentit në Banjskë, ashtu edhe pas incidentit në Banjskë, për t’u siguruar që ka mjaft ushtarë të NATO-s në Kosovë, përfshirë këtu në veri, për të parandaluar çdo lloj agresioni, për të parandaluar çdo lloj sulmi. Pra NATO është shumë vigjilente”, ka thënë Shea.
Ai pohon se situata është e tensionuar, por sipas tij NATO është plotësisht e mobilizuar.
“Kështu është edhe BE-ja, për të menaxhuar krizat, për të parandaluar incidentet, për të ulur tensionet dhe mbi të gjitha, për të rikthyer në shina dialogun politik me Beogradin dhe Prishtinën”.
Për ta arritur këtë, sipas Shea-s është e rëndësishme që kryeministri i Kosovës Albin Kurti ta dëshmojë se është partner i besueshëm i SHBA-së e BE-së, ashtu siç ishin qeveritë e kaluara.
“Është shumë e rëndësishme që kryeministri Kurti të tregojë se ai është gjithashtu një partner i besueshëm përballë Shteteve të Bashkuara dhe ndaj Bashkimit Evropian. Ajo që ka qenë e suksesshme në të kaluarën është se qeveria e Kosovës ka punuar shumë, shumë ngushtë me miqtë e saj të mëdhenj në BE, në NATO, me Shtetet e Bashkuara, me vendin tim, Britaninë e Madhe. Ne kemi qenë partnerë të mirë dhe duhet ta ruajmë këtë partneritet edhe në vazhdim”, tha Shea për A2cnn.