Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka komentuar deklaratat e shefit të tij për zgjedhje të parakohshme.
Ai ka bërë me dije se tani pozita dhe opozita mund të fillojnë bisedimet për caktimin e datës për zgjedhje të reja.
Në profilin e tij në “Facebook”, Zulfaj ka shkruar se sitna e pranverës dhe verës është koha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Nesër hyjmë në vitin e katërt të qeverisjes. Kemi qeverisje të mirë dhe stabile dhe me mbështetje të gjerë qytetare. Sipas Pulsit Publik të UNDP, pas tri vite të qeverisjes, 50% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e Kryeministrit dhe mbi 40% me punën e qeverisë, pa përfshirë mërgatën. Në vitin e fundit të mandatit natyrisht që duhet të mendohet për datën e zgjedhjeve të ardhshme. Data e rregullt e zgjedhjeve është në dimrin e vitit 2025. Stina më të përshtatshme për zgjedhje janë pranvera dhe vjeshta, jo dimri. Andaj qeveria dhe opozita mund të fillojnë bisedimet dhe të merren vesh. Në zgjedhje shkohet me shpërndarje të Kuvendit me 2/3 e votave”, ka shkruar ai.
Ai ka bërë me dije se kryeministri Kurti nuk jep dorëheqje.
“Sa për rrëzim qeverie me mocion mosbesimi, kjo është çështje e brendshme e opozitës a duan ta provojnë. KM Kurti po prezanton të arriturat impresive në këto tre vjet, punë e suksese, jo dorëheqje a dorëzim. Edhe njëherë: 50% e qytetarëve, pa mërgatën, janë të kënaqur me Kryeministrin”, ka shkruar Zulfaj.