Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ka qëndruar dy ditë për vizitë në Kosovë.
Ai është takuar me krerët e shtetit e po ashtu edhe me liderët opozitarë. Qëllimi i vizitës ishte dinari serb.
Escobar kishte deklaruar se nuk ka arritur ta bindë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që ta pezullojë vendimin për ndalimin e monedhës serbe në Kosovë, derisa Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Qeveria e Kosovës të gjejnë një zgjidhje afatgjate, siç do të ishte transferimi elektronik i eurove përmes sistemit të Kosovës.
“Kryeministri tha se ky ishte vendim i një institucioni të pavarur”, kishte thënë Escobar.
Por, nuk ishte kjo e vetjma.
Escobar, megjithatë, tha se ende shpreson që një zgjidhje të gjendet të martën, kur kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.
Escobar kishte deklaruar se nuk kishte marrë asnjë garanci nga kryeministri i Kosovës kur bëhet fjalë për të çuar përpara draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Shabani: Kryeministri i Kosovës është mjaft parimor
Njohësi i çështeve politike, Amir Shabani, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se vizita e tij ndodhi në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së janë zbehur.
Sido që të jetë, ai shton se vendimi për dinari është vendim që i ka takuar Kosovës si çdo shtet normal dhe demokratik.
“Sa i përket vizitës së emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Kosovë, u realizua në një kohë kur departamenti amerikan i shtetit po konsideron se marrëdhëniet e tyre me Kosovën janë zbehur. Kjo, për faktin se Kosova ka ndërmarrur disa vendime (sipas meje të duhura) dhe se SHBA-ja këto vendime i konsideron se janë marrë jo në momentin e përshtatshëm.
Çështja e dinarit dhe jo vetëm, është një vendim që Kosovës i ka takuar si çdo shtet normal dhe demokratik dhe që kanë valutën e tyre monetare. Pra, nëse euro është valuta e Kosovës, atëherë ky vendim duhet respektuar në nivel republikan nga të gjitha komunitetet. Nuk ka asgjë të pakuptimtë dhe e jashtëzakonshme, por përkundrazi është ligjore dhe kushtetuese”, thotë ai.
Tutje, thotë se diplomacia perëndimore duhet ta përkrah Kosovën, e jo Serbinë, sepse ajo është shkaktarja e destabilizimeve në Ballkan.
“Diplomatët perëndimorë në vend që ta përkrahin Kosovën për angazhimin e saj drejt funksionalitetit të rregullt të një shteti, ata po lobojnë për Serbinë, e cila është shkaktarja kryesore e çdo destabilizimi në Ballkanin Perëndimor.
Mendoj se kryeministri i Kosovës është mjaft parimor dhe edhe në këtë takim ai kërkoi nga emisari amerikan që Serbia të jap llogari për sulmin në Banjskë”, thekson ai.
Duhanaj: A po e gllabërojmë të ardhmen tonë?
Për kundër Shabanit, analisti Leon Duhanaj ka kritkuar kryemisnitrin Kurti, duke thënë se luftën që e ka bërë në opozitë, tash po e bën me mjete qeverisëse.
“Kur në krye të një shteti akoma të pa konsoliduar, siç është Kosova, ke një kryeministër, jo vetëm të papërgjegjshëm, por edhe sabotues të shtetit që përfaqëson, nuk mund të pritet ndonjë zhvillim pozitiv.
Fatkeqësisht, kryeministri Kurti, po avacon dukshëm në realizimin e qëllimeve të tij për zhbërjen e shtetësisë së Kosovës.
Luftën të cilën e ka bërë sa ishte në opozitë, tashmë po e bën me mjete qeverisëse”.
Ai tutje, shprehet se ndërkombëratët kanë bërë kritika të hapura ndaj Kurtit për të reaguar në shumë çështje, por siç duket është kot.
“Në anën tjetër, kemi një masë të konsiderueshme të qytetarëve të vendit, të indoktrinuar ideologjikisht, e të cilët duke urryer perëndimin, e shohin qeverinë Kurti si të vetmen, për realizimin e qëllimeve të tyre, duke vazhduar verbërisht mbështetjen ndaj tij.
Kur e ke një qeveri të tillë, dhe kur e njëjta ka mbështetje solide në popull, nuk ka kush të ndihmon më. As SHBA, as BE, as askush. Ata kanë investuar dhe luftuar, të na sjellin lirinë. Por nëse ne, me dëshiron tonë ja bëjmë vetit jetën llugë, askush s’na ka borxh dhe askush nuk na shpëton dot nga vetvetja.
Komisarët amerikanë, njëri pas tjetrit, deri edhe të sekretari i Shtetit e Presidenti, vazhdimisht kanë dërguar mesazhe në fillim implicite e dikur eksplicite, për të kaluar në deklarata e kritika të hapura, por kot. Nuk kanë kujt t’i flasin sepse ne kolektivisht kemi marrë rrugë të gabuar, duke zgjedhur modelin palestinez”, thekson ai.
Kurse për dialogun, ai deklaron se bisedimet do të vazhdijnë me apo pa dëshirën tonë, por që të jemi pozitiv varet nga ana jonë.
“Serbia me partnerët e saj, investojnë miliarda, për të na bërë ne si palestinezët përderisa vetën ta krahasoj me Izraelin. Këtë nuk e arritën në vitet e 90-ta, sepse ne u treguam të mençur, por tani po ja dalin me sukses, sepse ne kemi hequr dorë nga ideja e kombit, për ta zëvendësuar atë me identitet fetar. Kriza identitare do na kushtoi shumë shtrenjtë, nuk jam i bindur se do të mund të ja dalim t’i shpëtojmë kësaj marrëzie.
Çështja e negociatave, do të vazhdojë me apo pa dëshirën tonë, se a do të jenë ato pozitive për ne, varet prej anës sonë, duam të jemi europian dhe bashkëpunues, apo të shitemi si palestinezë, duke rënë në konflikt me tërë botën demokratike. Ne po tregohemi mazohist të vërtetë, dhe si të tillë, po e gllabërojmë të ardhmen tonë. Në fund prapë do t’ua hedhim fajin europianëve, sepse nuk jemi në gjendje të shohim me larg se hunda”, përmbylli Duhanaj për “Bota sot”.