Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se hetimi për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit mund të zgjasë me vite të tëra.
Duke e mbështetur këtë deklaratë të tij, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se hetimet janë në duar të institucioneve të Kosovë dhe afatet varen nga to.
E adresimet e tilla, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i PDK-së, Rashit Qalaj i vlerëson të pavend.
Ai tha se institucionet e drejtësisë në Kosovë do t’i konkretizojnë hetimet me një aktakuzë ndaj personave që janë të përfshirë në aktin terrorist.
“Unë i kam dëgjuar deklaratat edhe të z.Stano edhe përfaqësuesi të BE-së në Kosovë i cili thotë se hetimi për ngjarjen e Banjskës mund të vazhdojë me vite, mendoj që është një deklaratë e pavend. Për shkak që fillimisht Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit janë duke i kryer hetimet dhe ato do të konkretizohen me një aktakuzë për personat që kanë qenë të involvuar në aktin terrorist”, u shpreh ai.
Sipas tij, hetimet ndërkombëtare janë më të komplikuara, por nuk janë disavjeçare
Qalaj tha se hetimet për rastin e Banjskës nuk mund të zgjasin shumë edhe nëse janë ndërkombëtare.
Ai thotë se nuk nevojitet ndonjë kohë e gjatë për t’i identifikuar personat për sulmin në Bansjkë.
“Nuk është e definuar me kohë se sa mund të zgjasë një hetim, mirëpo prapë them që nëse hetohet vetëm akti terrorist atëherë nuk duhet ndonjë kohë e gjatë që të identifikohen, të kompletohet rasti i hetimit edhe pse nëse ka hetim ndërkombëtarë atëherë pjesë e këtij hetimi duhet të jenë edhe burimet e financimit, burimet e mbështetjes, e kështu me radhë, dhe mendoj që është pak më komplikuar, mirëpo nuk mendoj që bëhet fjalë për hetime disavjeçare”, deklaroi ai për Front Online.
Mosvendosjen e masave kundër Serbisë lidhur me Banjskën, Bashkimi Evropian po e arsyeton duke thënë që janë në pritje që të shohin një raport përfundimtar për hetimet nga ana e autoriteteve të Kosovës.
Kjo, për ish-zëvendësministrin e Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha është e habitshme.
“Përveç publikimit dhe argumentimit publik të fakteve që e shfaqin qartë organizimin dhe sulmin terrorist kundër rendit kushtetues nga ana e strukturave paramilitare serbe që si pasojë pati edhe vrasjen e një zyrtari policor të Republikës së Kosovës, madje edhe vet Radoiçiq përmes avokatëve të tij e pranoi një organizim të tillë. Mosndëshkueshmëria e Serbisë, përkatësisht mosvendosja e masave nga ana e BE-së lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit, nga ana e strukturave paramilitare, i cili si i tillë u cilësua edhe me deklaratën e lëshuar nga shërbimi i jashtëm i BE-së menjëherë pas sulmit, është e habitshme”, u shpreh ai.
Hoxha ka thënë se faktet e bëra publike për sulmin terrorist që mund t’i kenë ndërkombëtarët, janë të mjaftueshme për t’i vendosur masa Serbisë.
E nëse s’ndodh kjo, Hoxha thotë se mundësia është që të përsëritet sulmi.
“Besojë që të gjitha faktet e bëra publike, pa i llogaritur edhe informatat inteligjente që potencialisht mund ti kenë partnerët ndërkombëtar, janë të mjaftueshme për vendosjen e masave ndaj Serbisë, nëse jo për tjetër, atëherë si preventive për mundësinë e përsëritjes së sulmeve të tilla terroriste”, u shpreh Hoxha për Front Online.
Mospërfundimi i hetimeve nga Prokuroria Speciale për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, Valdet Hoxha thotë po bëhet me qëllim që të argumentohet saktë.
Sipas ish zv/ministrit të Brendshëm, për këtë nevojitet edhe ndihma juridike ndërkombëtare.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar hetimet lidhur me këtë rast dhe është brenda afatit siç përcaktohet me Kodin e Procedurës Penale, por mospërfundimi i tyre deri më tani dhe marrja e një epilogu final të hetimit, besoj po bëhet me qëllim të argumentimit të plotë dhe të saktë të krejt ngjarjes që kërkon hapa të kujdesshëm procedural por po besojë që është e nevojshme edhe ndihma juridike ndërkombëtare si në favor të vërtetimit të fakteve ashtu edhe në validimin e suksesit hetimor”, ka thënë ai
Ai shprehet i bindur se me hetimet e gjetura për sulmin terrorist, do të vendosen masa ndëshkuese organizatorit, mbështetësit dhe financuesit të sulmit terrorist në Banjskë.
“Megjithatë, tashmë janë bërë disa muaj nga sulmi në Banjskë dhe duke e ditur faktin se Prokuroria Speciale e Kosovës ka potencial të mjaftueshëm për ta bërë një hetim të tillë dhe duke llogaritur ndjeshmërinë dhe rëndësinë që ka përfundimi i këtij hetimi, do duhej që tashmë hetimi të ishte në fazën finale dhe shumë shpejt të merr epilog. Jam i bindur që të gjeturat e hetimit do ta bëjnë të paalternativë vendosjen e masave ndaj organizatorit, mbështetësit dhe financuesit të sulmit terrorist në Banjskë”, u shpreh ai.