Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola, ka thënë se pas vendimit të Qeverisë për pronat e Manastirit të Deçanit po konsolidohet ndërkombëtarisht shtetësia e Kosovës.
Gola, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se pas zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, Kosova vendoset në rrugën e pakthyeshme të anëtarësimit në Këshill të Evropës.
“Mbi gërmadhat e një trashëgimie të dëmshme negociimesh politike e vendimesh institucionale, po konsolidohet ndërkombëtarisht shtetësia e Kosovës”, ka shkruar Gola, transmeton Telegrafi.
Ai ka thënë se “pas zbatimit në kohë të duhur të një vendimi të pazhbëshëm të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, Kosova vendoset në rrugën e pakthyeshme të anëtarësimit në Këshill të Evropës dhe me këtë, edhe fuqizimit ndërkombëtar të subjektivitetit juridik të Kosovës”.
Vendimin e Qeverisë së Kosovës, e cila i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për pronën e Manastirit të Deçanit, e kanë mirëpritur shtetet e QUINT-it dhe diplomatë perëndimorë.
Ndërsa, partitë opozitare në vend e kanë kritikuar këtë vendim, duke thënë se Kurti po heq dorë nga kauzat e tij me të cilat erdhi në pushtet. E një ndër to ishte edhe kundërshtimi i dhënies së pronave për Manastirin e Deçanit.