Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë prapa fuqizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke komentuar porosinë e “Javelinëve” amerikanë nga Kosova.
“Ne e dimë që me krejt këto po udhëheq Amerika, këtë po e bëjnë ekspertët e mëdhenj të cilët do të jenë si mendërisht ashtu edhe fizikisht tepër të gatshëm. Amerikanët dhe NATO-ja këtë po e bëjnë në mënyrë jashtëzakonisht serioze dhe të përgjegjshme. Ata do të formojnë forca jashtëzakonisht të forta”, ka thënë ai.
Në një deklaratë për media nga Agjencia e Sigurisë Ushtarake në Beograd, Vuçiqi ka thënë se Serbia do të armatoset “që të parandalojë çfarëdo agresori”.
“Kemi 186 milionë euro në dispozicion dhe do t’i shpenzojmë menjëherë në blerjen e tetë mjeteve ‘Nore’ dhe do t’i blejmë menjëherë”, ka thënë Vuçiqi më tej si kundërpërgjigje ndaj blerjes së anti-tankëve nga Kosova.
Ai është ankuar sërish për ekzistencën e FSK-së duke thënë se “nuk do të duhej të ekzistonte, bazuar në Rezolutën 1244”.
Ka përsëritur se Kosova është furnizuar me pajisje turke e amerikane.
Vuçiqi ka akuzuar Kosovën se ka qëllim t’i eliminojë serbët.