Zelensky: Ambiciet e Putinit shtrihen përtej Ukrainës, synon edhe Baltikun, Moldavinë e Kaukazin

1 minute, 12 seconds Read

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar homologun e tij rus, Vladimir Putin, për ambicie të hapura imperialiste, duke deklaruar se synimi i Kremlinit nuk është vetëm pushtimi i plotë i Ukrainës, por edhe i vendeve të tjera në rajon.

Në një reagim ndaj deklaratave të fundit të liderit rus, Zelensky theksoi se qëllimet e Putinit janë të qarta dhe të kahershme.

“Putini e dëshiron të gjithë Ukrainën dhe këtë e dëshiron që nga shumë kohë para vitit 2014, që nga periudha kur ai vetë formohej nga ideologjia imperialiste ruse,” tha Zelensky gjatë një fjalimi.

Kreu i shtetit ukrainas paralajmëroi se ambiciet e Moskës nuk përfundojnë me Ukrainën, duke listuar edhe shtetet e tjera që ai i sheh si objektiva të ardhshëm të ekspansionizmit rus.

“Kur ai flet për Ukrainën dhe ushtarët rusë, ai po flet gjithashtu për Bjellorusinë, vendet baltike, Moldavinë, Kaukazin dhe Kazakistanin. Pushteti i Putinit mbaron aty ku mbarojnë aftësitë e vrasësve rusë,” shtoi ai.

Në fund, Zelensky konfirmoi se Ukraina është e vendosur të mbrohet dhe ka marrë vendime të reja strategjike për t’iu përgjigjur kërcënimeve në rritje. “Sigurisht, Ukraina do të mbrohet. Ne kemi miratuar një numër vendimesh të reja, duke pasur parasysh sinqeritetin e vrasësve rusë që deklarojnë se nuk do të ndalen,” përfundoi presidenti ukrainas, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme