Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore kundër atyre që ajo i ka quajtur “të ashtuquajtur gazetarë”, të cilët, sipas saj, po përndjekin dhe rrezikojnë sigurinë e vajzave të saj të mitura. Reagimi i ashpër erdhi pas një tjetër tentimi për incizim të paautorizuar të fëmijëve të saj gjatë ditës së sotme.
Në një postim të gjatë në Facebook, Presidentja Osmani theksoi se ekspozimi i fëmijëve përmes incizimeve të paautorizuara krijon rrezik të drejtpërdrejtë fizik dhe pasoja të rënda psikologjike. Ajo akuzoi disa media se, në vend që të informojnë, po publikojnë vendndodhjen dhe imazhet e vajzave të saj pa leje, duke i bërë ato cak të mundshëm për sulme, kanosje apo kidnapime.
“Në cilin vend demokratik ekspozimi dhe rrezikimi i jetës së fëmijëve bie brenda suazave të lirisë së shprehjes? Në asnjë,” shkroi Osmani, duke shtuar se një pjesë e rëndësishme e rrezikut ndaj tyre shkaktohet pikërisht nga veprimet e këtyre individëve.
Presidentja tregoi se për pesë vite me radhë, vajzat e saj kanë ndjekur mësimin në shkollën publike “Ismail Qemali”, duke u përballur me të gjitha vështirësitë e sistemit arsimor, si mungesa e ngrohjes, ujit apo sigurisë. Sipas saj, këto media asnjëherë nuk raportuan për këtë fakt, por u fokusuan vetëm në cenimin e privatësisë së fëmijëve.
Duke iu përgjigjur interesimit për praninë e policisë, ajo sqaroi se kjo është një masë e detyrueshme ligjore, e bazuar në vlerësimin e policisë se vajzat e saj hyjnë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë. “Këto ligje nuk i kam hartuar unë dhe këtë vlerësim të rrezikshmërisë nuk e kam bërë unë,” theksoi ajo.
Në fund, Presidentja Osmani konfirmoi se ndryshimi i shkollës për vajzat e saj është bërë pikërisht për shkak të nivelit të lartë të rrezikshmërisë dhe ndryshimit të vendbanimit të familjes, duke u zotuar se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur fëmijët e saj. /lajmishqip.net