Titulli: Prapaskenat e rrezikut global: Si i parandalova tre luftëra bërthamore

1 minute, 45 seconds Read

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se gjatë mandatit të parë si president ka parandaluar shpërthimin e tre luftërave bërthamore dhe u lavdërua përsëri për rindërtimin e fuqisë ushtarake amerikane dhe arsenalit bërthamor.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i fuqishëm në botë. Gjatë mandatit tim të parë, unë kam rindërtuar plotësisht ushtrinë tonë, përfshirë kryesisht kokat e reja dhe të rinovuara bërthamore. Kam themeluar gjithashtu Forcat Hapësinore dhe tani po vazhdojmë të rindërtojmë ushtrinë në nivele që nuk janë parë më parë. Po i shtojmë ushtrisë edhe anije luftarake, të cilat janë 100 herë më të fuqishme se ato që kanë lundruar në detet gjatë Luftës së Dytë Botërore – Iowa, Missouri, Alabama dhe të tjera”, shkroi 79-vjeçari.

Ai më tutje deklaroi se ka parandaluar shpërthimin e luftërave bërthamore midis Pakistanit dhe Indisë, Iranit dhe Izraelit, si dhe Rusisë dhe Ukrainës.

“Në vend të zgjatjes së marrëveshjes New START, e cila është negociuar keq nga Shtetet e Bashkuara dhe, mbi të gjitha, po shkelet në mënyrë të egër, ne duhet të angazhojmë ekspertët tanë bërthamorë për të punuar në një marrëveshje të re, të përmirësuar dhe të modernizuar që mund të zgjasë gjatë në të ardhmen. Faleminderit për vëmendjen ndaj këtij çështjeje!”, shtoi ai.

Deklarata e Trump vjen në një kohë kur ka skaduar marrëveshja “New START” midis SHBA-së dhe Rusisë, e fundit në fuqi që kufizon arsenalet strategjike bërthamore të të dyja vendeve.

Marrëveshja, e nënshkruar në vitin 2010, kufizon numrin e kokave bërthamore strategjike të vendosura dhe parashikon inspektime dhe shkëmbim të të dhënave, por marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar më tej pas pushtimit total të Rusisë në Ukrainë.

Është e pasigurt nëse Uashingtoni dhe Moska do të arrijnë të bien dakord për një kornizë të re për kontrollin e armëve bërthamore pas skadimit të kësaj marrëveshjeje.

Publikime te ngjashme