Një qytetar i Prishtinës ka denoncuar publikisht atë që e quan papërgjegjshmëri të plotë të Inspektoratit të Komunës, pasi një kërkese urgjente për një rrezik të dukshëm në banesën e tij i është dhënë një afat përgjigjeje prej 30 ditësh. Rasti është bërë publik përmes një postimi publik në facebook drejtuar kryetarit Përparim Rama, ku qytetari shpreh revoltën dhe pafuqinë përballë burokracisë institucionale.
Sipas postimit të tij, të shoqëruar me foto dhe video, muri në korridorin e banesës ku ai jeton po shkatërrohet me shpejtësi nga një rrjedhje e vazhdueshme uji. Problemi buron nga një banesë e pabanuar një kat më lart, pronari i së cilës nuk dihet, duke e bërë të pamundur një zgjidhje private.
Përballë këtij rreziku, ai i është drejtuar me një kërkesë zyrtare dhe urgjente Inspektoratit të Komunës, si i vetmi organ me fuqi ligjore për të ndërhyrë. Megjithatë, përgjigjja që ka marrë në sportel ka qenë dëshpruese për të: kërkesa e tij do të trajtohej brenda afatit ligjor prej 30 ditësh.
“Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë për 30 ditë,” shkruan ai, duke theksuar se institucionet në vend duket se reagojnë vetëm pasi ndodh një fatkeqësi ose kur vihen nën presionin e mediave dhe revoltës qytetare.
Pika kulmore e denoncimit të tij është apeli i drejtpërdrejtë drejtuar kryetarit të Komunës, Përparim Rama. “A është kjo përgjegjësia institucionale që ju premtuat? A duhet të përfundojmë në lajmet e kronikës së zezë që inspektorati juaj të reagojë?”, pyet ai publikisht, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme përpara se situata të përshkallëzojë në një tragjedi./lajmishqip.net