Ragip Gila u arrestua si autori i masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur, në qytetin e Shkodrës.
Ai nuk është një emër i panjohur për policinë apo drejtësinë në Shqipëri, pasi konsiderohej si anëtar i grupeve kriminale, transmeton klankosova.tv.
Gila rezulton se është arrestuar edhe më 6 dhjetor të vitit 2023, pasi në banesën ku jetonte iu gjetën sende që përdoreshin nga grupe kriminale për vepra të ndryshme në Shkodër si jelekë anti-plumb, maska, paruke, armë e municion dhe sasi të lëndëve narkotike.
Më konkretisht, në kuadër të operacionit “Imazhi fals”, në banesën e tij në lagjen “Partizani”, të riut iu gjetën:
• 7 jelekë antiplumb
• 2 palë doreza
• 3 maska
• 2 paruke (të përdorshme për kamuflim gjatë atentateve)
• një armë gjahu
• sasi municioni luftarak
• një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis
Policia asokohe deklaroi se kjo bazë e armatimit përdorej për të ndihmuar grupe kriminale në përgatitje të ngjarjeve të rënda.
Droga sipas politiko.al, në formë çokollate, kishte të njëjtat stampa në amballazh, si sasinë e drogës që Policia e Shkodrës kishte sekuestruar pak më parë këtij aksioni, brenda një fugoni në afërsi të një tuneli, ku u sekuestrua afro 100 kg drogë.
65.5 kg ishte marijuanë e prodhuar në formë çokollate e gatshme për treg dhe pjesa tjetër 31.5 kg kanabis në formë boçe.