Zinedine Zidane ka dhënë një paralajmërim të qartë sa i përket të ardhmes së tij duke marrë parasysh thashethemet se ai është njëri prej kandidatëve kryesor për ta zëvendësuar Erik Ten Hag tek Manchester United.
Ten Hag mbetet nën presion të madh tek ‘Djajtë e Kuq’ pas barazimit pa gola në vikend ndaj Aston Villës, që do të thotë se ata janë bërë klubi i dytë me më së paku gola të shënuar deri më tani në elitë (5).
United mban pozitën e 14-të në tabelë teksa holandezi e theu rekordin e tij të sezonit të kaluar për ecurinë më të dobët të klubit në një sezon të Ligës Premier
Përkundër raportimeve të shumta, Sky Sport News ka bërë me dije se nuk ka pasur asnjë kontakt me Thomas Tuchel, i cili është një tjetër kandidat i mundshëm për stolin e gjigantit anglez.
Një tjetër trajner i cili gjithmonë është përmendur për stolin e Unitedit është ish-trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane.
Sidoqoftë, legjenda franceze kishte deklaruar para finales së Ligës së Kampionëve se rikthimi në stol nuk është prioriteti i tij kryesor.
“Janë bërë tri vite që prej se kam qenë trajner i Real Madridit. Isha një lojtar, isha një trajner. Por sot, dua gjëra të tjera”.
“Dua ta shijojë jetën time, të kujdesem për fëmijët e mi dhe nipërit e mi gjithashtu, pasi së fundmi u bëra gjysh. Jeta ime është e përmbushur dhe kjo është gjëja më e rëndësishme për mua”, kishte thënë Zidane./Telegrafi