Zharko Cvetkoviq e Marijan Radojeviq të dyshuarit për armatimin e kapur në veri, Elshani: Ata janë në kërkim për rastin Banjska

1 minute, 36 seconds Read

Policia e Kosovës, pas informacioneve të pranuara nga AKI-ja, ka gjetur dhe sekuestruar një sasi armatimi në veri të Mitrovicës, i cili ishte fshehur nga ish-pjesëtarët e grupit terrorist që kryen sulmin në Banjska më 24 shtator të vitit të kaluar.

Veton Elshani, ushtrues detyre i drejtorit të policisë për rajonin e veriut, gjatë një konference për media ku janë ekspozuar armët e gjetura dhe të konfiskuara, ka bërë të ditur se armatimi dhe pajisjet tjera të gjetura dyshohet se kanë qenë aty për një kohë të gjatë.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Ai ka thënë se dy të dyshuarit për rastin e Banjskës, Zharko Cvetkoviq dhe Marijan Radojeviq, e që ndërlidhen me ngjarjen, janë në kërkim.

“Sot në orët e pasdites, Policia e Kosovës pas informacioneve që kishte pranuar nga AKI-ja dhe qytetarët e këtij vendi, kemi vepruar dhe bastisur dy lokacione. Në fakt, katër vende kemi bastisur, por dy lokacione kanë qenë të ndara. Lokacioni i parë, afër ‘Tre rrokaqiejve’ në një pusetë janë gjetur çanta me kallashnikovë dhe fishekë e pajisje, të cilat ju i shihni, në lokacionin e dytë janë pajisje që janë gjetur në një shtëpi dhe në oborr të asaj shtëpie”.

“Që të dyja lokacionet kanë emra, lokacioni i parë lidhet me emrin Marijan Radojeviq, ndërsa lokacioni i dytë ndërlidhet me Zharko Cvetkoviq… dhe që të dytë janë në kërkim për rastin e Banjskës… Ne konsiderojmë se ky armatim dhe këto pajisje ndodhen aty për një kohë më të gjatë”, ka thënë Elshani.

Në sulmin terrorist në Banjska, për të cilin përgjegjësinë e mori krimineli Milan Radoiçiq, kishte mbetur i vrarë rreshteri i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. Interpoli ka vënë në kërkim Milan Radoiçiq, i cili vazhdon të qëndrojë i lirë në Serbi.

Publikime te ngjashme