Presidentja Vjosa Osmani po qëndron në pritje të një sinjali nga Gjykata Kushtetuese përpara se të procedojë me nënshkrimin e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, bëri të ditur se kreu i shtetit ka njoftuar subjektet politike gjatë takimit konsultativ, proces ky që u bojkotua nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Presidentja nuk e ka formalizuar ende dekretin për datën e zgjedhjeve pasi, siç u është komunikuar partive, ajo po pret qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse ky autoritet vlerëson si të domosdoshme vendosjen e një mase të përkohshme, Presidenca do ta respektojë atë, duke potencuar se kjo masë nuk e paragjykon vendimmarrjen finale mbi kushtetutshmërinë e aktit”, deklaroi Kupina.
Ky zhvillim vjen pasi Osmani të premten dekretoi shpërndarjen e legjislaturës, me arsyetimin se Kuvendi dështoi të përzgjedhë Presidentin e ri brenda afateve të parapara kushtetuese.
Dekreti në fjalë është dërguar sot për shqyrtim në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga tabori i kryeministrit Albin Kurti pretendojnë se Osmani ka shkelur aktin më të lartë juridik të vendit. Madje, brenda LVV-së vlerësojnë se ky vendim i Presidentes “e dëmton stabilitetin shoqëror”.
Albulena Haxhiu, zyrtare e kësaj partie, e ka cilësuar këtë hap të Presidencës si një “minim të punës dhe integritetit institucional të Kuvendit të Kosovës”./lajmishqip.net









