Zgjedhjet shtetërore dhe lokale të së martës në Amerikë shërbyen si testi i parë madhor i opinionit publik gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump, në prag të zgjedhjeve kombëtare të vitit të ardhshëm.
“The Washington Post” ka bërë një përmbledhje të fituesve dhe humbësve kryesorë të këtij cikli zgjedhor.
Fituesit
Demokratët siguruan fitore në katër garat kryesore: atë për kryetar bashkie të Nju Jorkut, garat për guvernator në Nju Xhersi e Virxhinia, si dhe Propozimin 50 në Kaliforni, që lidhet me rindarjen e zonave zgjedhore.
Votuesit kalifornianë miratuan lejimin e demokratëve për të ripërcaktuar zonat kongresive, duke balancuar lëvizjet e ngjashme të republikanëve në shtete të tjera.
Partia Demokratike triumfoi gjithashtu në gara shtetërore dhe lokale në Xhorxhia e Misisipi, si dhe zgjeroi shumicën në legjislaturën e Virxhinias.
Humbësit
Kandidatët republikanë dështuan të siguronin mbështetje të mjaftueshme, duke u dhënë demokratëve fitore të rëndësishme, përfshirë garën për prokuror të përgjithshëm të Virxhinias dhe kontrollin e Gjykatës Supreme të Pensilvanisë.
Këto zgjedhje u panë gjerësisht si një referendum për Trumpin. Ai mbështeti kandidatë kyç republikanë dhe e lidhi fushatën me përpjekjet e tij për të ulur koston e jetesës.
“Nëse përballueshmëria është problemi juaj, VOTONI REPUBLIKANËT,” postoi ai në mediat sociale.
Sondazhet në dalje (exit polls) treguan se shumica e votuesve në Virxhinia dhe Nju Xhersi shprehën mosmiratim për figurën e Trumpit./lajmishqip.net
