Zelensky me kritika të ashpra për kancelarin e Gjermanisë

2 minutes, 42 seconds Read

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kritikuar ashpër kancelarin gjerman Olaf Scholz për refuzimin për t’i dhënë Kievit raketat Taurus të prodhimit gjerman.

Sipas Zelenskyt, ngurrimi bazohet në dëshirën e Scholzit për të mbajtur armët për mbrojtjen e vetë Berlinit kundër një kërcënimi nga Rusia.

“Me sa kuptoj unë, kancelari beson se, duke qenë se ai është përfaqësues i një shteti jo bërthamor, kjo është arma e vetme që ka Gjermania, është më e fuqishmja”, ka thënë Zelensky për raketat Taurus në një intervistë me ‘Politicon’. “Ai ndau mesazhe me mua duke thënë se nuk mund ta lë vendin e tij pa një armë kaq të fuqishme”, ka shtuar Zelensky.

Qeveria gjermane, megjithatë, i paraqet publikut logjikë krejt tjetër për mosdërgimin e raketave. Scholzi ka refuzuar të dërgojë raketa Taurus në Ukrainë, duke thënë në deklaratat publike se një veprim i tillë mund të çojë në një përshkallëzim të luftës dhe madje mund ta tërheqë Gjermaninë në konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë.

Ukrainasit duan që raketat gjermane Taurus, të cilat kanë rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe mbajnë kokë të fuqishme, të godasin objektiva thellë prapa vijës së frontit, siç është Ura e Kerçit që lidh Rusinë dhe Krimenë e pushtuar.

Megjithatë, komentet e Zelenskyt tregojnë se ka një arsye që Scholzi nuk e ka thënë publikisht – ose të paktën një shpjegim që kancelari gjerman mund të jetë ndier më rehat për t’ia dhënë presidentit ukrainas: se Berlinit i duhen raketat për të penguar presidentin rus Vladimir Putin nga sulmi ndaj Gjermanisë.

Zelensky ka thënë se Scholzi i sheh raketat Taurus si parandalues nga një sulm bërthamor, megjithëse presidenti ukrainas nuk e sheh të logjikshme. “Çdo raketë nuk do ta mbrojë asnjë person nga sulmet bërthamore, nëse shpërthen një luftë bërthamore, Zoti na ruajt”.

“Është shumë e rëndësishme që njerëzit të dinë se ju keni diçka të veçantë, disa armë speciale. Dhe nëse ka një luftë, ato do të jenë e dobishme”, ka deklaruar Zelensky.

Scholz, megjithatë, e ka përshkruar veten si lider që mund të ofrojë ndihmë për Ukrainën pa kaluar kufijtë që do të çonin në një luftë më të gjerë. Disa politikanë brenda partisë së tij Social Demokrate të qendrës së majtë i janë referuar si “kancelar paqeje” për këtë qasje.

Në intervistën e tij, Zelensky sulmoi jo vetëm ngurrimin e Gjermanisë për të dërguar raketa – por edhe mos-shpejtësinë e SHBA-së për të lejuar forcat ukrainase të përdorin avionët luftarakë F-16 dhe raketat ATACMS të furnizuara nga Amerika.

“Unë përdor gjithmonë logjikën në hapat e mi, në fjalët dhe përfundimet e mia. Dhe thjesht nuk e kuptoj logjikën që qëndron pas kësaj kur, për shembull, një nga partnerët tanë ka armë që Ukrainës i duhen sot për të mbijetuar. Dhe nuk e kuptoj pse nuk po na japin”, ka thënë Zelensky.

 

Publikime te ngjashme