Vuçiq paralajmëron vizitë në Kosovë, gazetari e pyet a mori leje nga Kurti

1 minute, 3 seconds Read

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është shprehur se së shpejti do të vijë në Kosovë.

Kështu i tha gazetarit tonë në Bruksel, Gazmend Sylës që njëherit është edhe drejtor i Informacionit në Klan Kosova, pasi përfundoi konferenca për media pas takimit që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Meqë nuk pranoi që t’i bëheshin pyetje shtesë edhe pas insistimit nga Klan Kosova, Vuçiq e ftoi gazetarin tonë që të shkojnë në Serbi, aty ku tha se do t’i përgjigjej në të gjitha pyetjet.

“Katër pyetje mi ke parashtruar”, i tha Vuçiq Sylës pas insistimit të këtij të fundit, “ Eja në Beograd te unë dhe do të të përgjigjem në gjithçka”.

“Eja në Prishtinë dhe do t’ju bëjmë më shumë pyetje”, ia ktheu Syla.

Ndaj kësaj Vuçiq u shpreh se do të vijë në Graçanicë së shpejti. “Sapo të më jepni atë leje demokratike, do të vi në Graçanicë dhe pastaj edhe në Prishtinë”.

“A e keni pyetur Kurtin për të?”, e pyeti gazetari ynë.

“Nuk mund ta pyes Kurtin, e pyes popullin tim dhe populli do që të më sheh”, u përgjigj presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Publikime te ngjashme