Në prokurori për krimet në fushën e teknologjisë në Serbi, ka filluar hetimet lidhur me kërcënimet në internet drejtuar ambasadorit amerikan në Beograd Christopher Hill.
Kërcënimet pasuan një vizitë të ambasadorit amerikan me 15 prill në Fakultetin Filozofik në Novi Sad, ku u takua me profesorin e atij fakulteti dhe gazetarin Dinko Gruhonjiç, të cilin grupet e djathta në Serbi e akuzojnë për “përhapjen e urrejtjes” në paraqitjet e tij publike, në të cilat ai kritikon rritjen e nacionalizimit në Serbi.
Pas kësaj ambasadorit Hill dhe profesorit Gruhonjiç u janë drejtuar kërcënime, kryesisht përmes rrjetit Telegram. si “Plumb për të dy”, “Do ta vrisja këtë Hillin pa një grimë keqardhjeje”, “Vrite Hillin” etj., ndërsa u publikua edhe një fotografi e ambasadorit amerikan nën shënjestrën e një pushke snajpe.
As ambasadori Hill, as ambasada amerikane në Beograd dhe as Departamenti i Shtetit, nuk kanë bërë ndonjë koment lidhur me kërcënimet.
Gjatë vizitës ambasadori Hill kishte qëndruar edhe në studion televizive multimediale, e cila është ndërtuar me ndihmën e ambasadës amerikane dhe ka biseduar me profesorët dhe studentët për gjendjen e lirisë së mediave në Serbi dhe kërcënimet ndaj tyre në Novi Sad.
Vizita e tij në Fakultetin Filozofik u bë dy javë pas bllokadës katërditëshe të këtij fakulteti, të organizuar nga grupet e djathta: “Eco Çetniks”, Rinia Mbretërore Serbe e Novi Sadit dhe Shoqata e Studentëve të Republikës Serbe.