Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka rrëzuar si të pasafatshme ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila synonte anulimin e fletëvotimeve të pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025. Ky vendim konfirmon vlefshmërinë e votave të mërgatës në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për Kuvendin e Kosovës.
Vendimi u mor në seancën e mbajtur këtë të premte, më 9 janar 2026, nga paneli i gjyqtarëve i përbërë nga Kujtim Pasuli (kryesues), Hidajete Gashi Alaj dhe Skender Çoçaj.
PDK kishte kontestuar zyrtarisht administrimin e procesit, duke kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të përjashtonte nga numërimi të gjitha fletëvotimet e pranuara pas afatit të paraparë ligjor. Kërkesa e subjektit opozitar përfshinte specifikisht dërgesat që kishin arritur në Kosovë gjatë datave 2 dhe 5 janar 2026, por kjo pretendim u hodh poshtë, duke i hapur rrugë certifikimit të plotë të këtyre votave. /lajmishqip.net
